Tomas Strakosha është portieri titullar i Lacios prej dy sezonesh. Gjithmonë gardiani kuqezi është përfolur për një largim të mundshëm nga Lacio, por deri më tani nuk ka pasur asnjë konkretizim. Por kjo verë mund të sjellë lëvizjen e bujshme për portierin shqiptar.
Mediet përtej Adriatikut shkruajnë se Strakosha mund të largohet nga Lacio verën që po vjen, por me një kusht. Çdo gjë në ambientin bardhekaltër ka të bëjë me arritjen ose jo të Ligës së Kampionëve. Javën e fundit Lacio pësoi një goditje të madhe për këtë synim, teksa u mposht nga Kievo dhe tashmë objektivi Champions është më i largët.

Gjendjen e ekipit lacial e ka analizuar eksperti italian i merkatos, Luka Urbani. Duke folur për lëvizjet që mund të përfshijnë Lacion, Urbani tha se nëse Lacio nuk arrin edhe këtë vit Champions League me shumë siguri, 3 ose 4 yje të ekipit do të largohen. Imobile, Milinkoviç Saviç por edhe Strakosha do të shohin mundësitë e tyre për të gjetur ekipe të tjera, ndoshta jashtë Italisë thotë Urbani. Sipas tij do të ishte shumë e vështirë për Lacion që t’i mbante këta lojtarë pa pasur Champions League si nga ana financiare, por edhe ajo që ka të bëjë me ambicien personale që këta futbollistë mund të kenë.

Për Milinkoviç Saviç ka pasur interesim të lartë në Itali nga Milan dhe Juventus, por edhe jashtë Serisë A PSG apo edhe Barcelona ka paraqitur oferta në të shkuarën. Ndërsa për Strakoshën panorama e merkatos paraqitet disi më e zymtë. Gardiani shqiptar vitin e shkuar u përfol për një kalim në Premier League, por këtë vit kjo mundësi duket pak më e vështirë. Gjithsesi Strakosha me paraqitjet e tij te Lacio nuk i ka të paktë adhuruesit në Europë, por për të parë diçka më konkrete duhet pritur muaji qershor, kur fillon edhe merkato.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




