Futboll

Hysaj në syrin e ciklonit, shtypi italian fundos mbrojtësin e Kombëtares

Elseid Hysaj kishte rastin më të mirë t’i bindte të gjithë dhe aq më shumë skeptikët për vlerat e tij. Në “Emirates Stadium” ishte titullar, trajneri Karlo Ançeloti i dha besim të plotë, por shkodrani ishte një nga zhgënjimet më të mëdha të mbrëmjes të së enjtes në Europa League. Napoli humbi 2-0 dhe Hysaj, Mario Rui, Zielinski dhe Mertens ishin më të dobëtit në fushë për ekipin italian, që synon t’i shkojë deri në fund kompeticionit.

Vlerësimi i "Corriere dello Sport" për Hysajn

Shtypi sportiv italian ka qenë i pamërshirshëm në vlerësimin për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare. Madje, në përshkrimin e paraqitjes së tij në Angli, ka përdorur jo pak ironi: “Nuk numërohen pasimet e gabuara dhe paqartësitë e futbollistit shqiptar. Çdo kundërshtar që kalon në anën e tij, e bën shumë lehtë edhe me topin në këmbë”, - shkruan “Corriere dello Sport”, që e ka vlerësuar me notën 4.5 Hysajn. Edhe gazeta të tjera sportive apo portale të ndryshme kanë shkruar për një mbrëmje të errët të shkodranit. “Si një peshk pa ujë”, - është quajtur mbrojtësi i krahut të djathtë, që duket se shumë shpejt do t’i japë fund aventurës së tij me Napolin.

Ky sezon ka qenë shumë i dobët për Elseid Hysajn, i përfolur për një largim të mundshëm nga Napoli në merkaton e janarit. Trajneri Karlo Ançeloti nuk ia ka besuar gjithmonë formacionin. Në ndonjë raste e ka aktivizuar në krah të majtë të mbrojtjes, por në asnjë rast shkodrani nuk ka bindur, duke i ulur gjithmonë e më shumë kuotat për të vazhduar me Napolin. Specialistë të ndryshëm në Itali dhe tifozët e Napolit tashmë janë të bindur se Hysaj nuk është një lojtar për të qenë titullar në ekipin që mban vendin e dytë në Serinë A. Hysaj kaloi te Napoli pak sezone me parë bashkë me trajnerin Mauricio Sarri, i cili e ka pasur “pikë të dobët” shqiptarin, pasi i shkon për shtat skemës së tij të lojës.

Hysaj i dëshpëruar pas golit të parë të Arsenalit

Jo vetëm te Napoli, por edhe në ndeshjet me Kombëtaren e Shqipërisë Hysaj nuk ka dhënë atë që të gjithë presin. Në ndeshjet e fundit me Turqinë dhe Andorrën ka mbajtur shiritin e kapitenit, megjithatë mbrojtësi nuk ka mundur kurrë të bëjë liderin e kuqezinjve. Si një lojtar i Napolit, që rivalizon Juventusin për titullin kampion në Itali, ai duhej të bënte diferencën në çdo ndeshje të Shqipërisë, por në fakt shkodrani është dukur “i zakonshëm” në fushë. Asgjë për t’u mbajtur mend dhe pavarësisht dëshirës së madhe për ta parë Hysajn në nivelet më të larta, duket se italianët dhe veçanërisht napoletanët, kanë të drejtë. Elseid Hysaj, sidomos këtë sezon, është shumë larg pritshmërive si te Napoli, ashtu edhe në Kombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë