Futboll

Bejzade analizon Superligën: Ka rënë niveli, trajnerët nuk i lënë të punojnë

Nga Ardit HOXHA - Një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit shqiptar në 25 vitet e fundit, kampion dhe fitues i Kupës me disa ekipe të ndryshme. Skerdi Bejzade prej disa vitesh i është futur botës së trajningut në Gjermani, aty ku ai ka luajtur edhe për një periudhë të gjatë të karrierës së tij. Ish-sulmuesi, në një intervistë për Gazeta SI, ka analizuar gjendjen e kampionatit shqiptar këtë sezon.

Duke u ndalur te kryesuesit e Partizanit dhe disa nga problematikat më të mëdha që kanë shoqëruar këtë vit Superioren, Bejzade nuk i kursen kritikat për disa nga klubet më kryesore, që sipas tij në disa raste mund të mos kenë që në nivelin e kërkuar profesional.

Bejzade lur luante me Arminian e Hannoverit

Për çështjen e titullit kampion, Bejzade është shumë i qartë, se Partizanit nuk mund t’ia marrë kush titullin nga dora edhe pse e cilëson këtë kampionat më të dobët se vitet e shkuara. “Sa e kam ndjekur unë kampionatin ishte interesant deri sa doli Skënderbeu nga gara, se pastaj filloi Skënderbeu të bëjë disa humbje radhazi për arsye që i dinë ata, plus tani nga fundi akoma më keq, me këto që po ndodhin,dhunë, aleanca, lërja dhe ma lër, i ka humbur bukuria edhe interesi. Këtë vit mendoj se ka rënie me sezonin e kaluar për arsyet i thashë më lartë.”

Skerdi Bejzade duke trajnuar të rinjtë e Arminias

Duke folur për “demat” që po rikthehen kampion pas më shumë se 25 vite, Skerdi Bejdaze thekson se Partizani mund ta kishte fituar edhe më herët kampionatin, por nuk e kanë lejuar aleancat dhe arbitrat që i ka pasur kundër, pasi sipas tij edhe me Federatën nuk i ka pasur të mira marrëdhëniet. “Për mua personalisht e bukura e këtij sezoni ka qenë që Partizani po luan mirë, e është në drejtimin e duhur për titullin kampion. Edhe më përpara, i ka pasur mundësitë me dal kampion, por për arsye të ndryshme, nuk realizohej. Përshembull marrëdhëniet me Federatën dhe arbitrat ishin shumë të këqija, plus nuk bënte aleanca me ndonjë ekip. Duhet të kesh super ekip që t’i mundesh aleancat dhe të fitosh me arbitrat kundra e pa asnjë lloj ndihme.”

Bejzade kur luante te Partizani

Për rivalët e Partizanit, sidomos Kukësin, Bejzade thotë se kanë gabuar në çështjen e ndërrimit të trajnerit shumë shpesh, çka ka ndikuar dhe në rezultatet që kanë marrë. “Ekipet e tjera si Kukësi ose Teuta nuk është se kanë bërë sezon të keq, por mbase s’kanë pasur organizimin e duhur këtë vit. Plus Kukësi me këto ndërrime trajnerësh që bën çdo 3 muaj, nuk i shërben skuadrës, po besoj ato e dinë më mirë këtë punë…”

Tre ekipe të rëndësishme në karrierën e Bejzades, Vllaznia, Elbasani, Dinamo janë në gjendjen e tyre më të keqe. Ish-sulmuesi shprehet se këto ekipe do e kenë të vështirë ringjitjen në rast se nuk do të ketë ndryshime në menaxhim. “Për ekipet si Vllaznia, Elbasani, Dinamo mendoj se do ta kenë vështirë të arrijnë aty ku kanë qenë. Vllaznia po del përsëri në Superligë, por me thënë të vërtetën me duket se janë, si mall pa zot. Bashkitë lënë për të dëshiruar në drejtimin e futbollit. Kurse te Elbasani dhe Dinamo nuk shoh dritë jeshile.”

Sakaq për kombëtaren, ish-sulmuesi elbasanas shprehet skeptik, duke thënë se me këtë grup aktual nuk duhet të pretendojmë më shumë se vendi i katërt në grup. “Për kombëtaren mund të them se me këtë grup që ka, po të arrijnë vendin e 4 në grup, duhet quajtur sukses. Ky është mendimi im, më mirë do ishte trajner shqiptar, se kushdo që të vijë trajner i huaj aty, vështirë se do bëj ndonjë surprizë, gjithsesi të presim, ishalla ndryshon për mirë.”

Arminia e Hannoverit, ekipi më i rëndësishëm në karrierën e tij si futbollist, po rezulton të jetë i tillë edhe në karrierën e Bejzades edhe si trajner. Ai ka filluar të punojë me ekipin e kategorisë së pestë në Gjermani me të rinjtë dhe duke filluar nga sezoni i ardhshëm do të jetë në krye të ekipit të parë. “Unë kam një vit që po punoj me të rinjtë e Arminia Hannoverit. Vitin tjetër do drejtor ekipin e të rriturve që ndodhen në “Oberliga” edhe kanë pretendime për të hipur më lart. Kjo ligë është e fortë, nuk është kollaj këtu të luash në këtë ligë, i bie liga 5, por mund ta krahasoj me nivelin e ekipeve të Superligës si Kamza, Luftëtari, Kruja ose ndonjë ekip tjetër, kush e njeh kampionatin e kësaj lige mund ta bëjë krahasimin.”

N

Në fund kur pyetet për mundësinë e rikthimit në Shqipëri si trajner, Skerdi Bejzade flet hapur. Për 44-vjeçarin puna e trajnerit në Shqipëri është shumë e vështirë për shkak të ndërhyrjeve dhe presioneve nga njerëz të jashtëm. Sipas tij, të ndërrosh katër teknikë brenda një sezoni nuk ndodh as në ligën e 7 të futbollit gjerman. Për këto arsye dhe projekteve që ai ka në Gjermani, Bejzade nuk synon që të rikthehet shpejt në Shqipëri.
“Këtu kudo filloj, po të bësh punë të mirë ose të hipësh me lart me ekipin i ke dyert e hapura. Edhe puna si trajner është më komode, jo si në Shqipëri që një trajner gjatë një sezoni ndërron 4 ekipe, një herë këtu, 2 muaj aty, 3 javë atje. Me pak fjalë as në ligën e 7 në Gjermani s’besoj që ndodh ajo që ndodh në Superligën Shqiptare. Tani për tani nuk kam ndonjë interes të drejtoj ndonjë skuadër atje, se aty isha, drejtova Kamzën e nxora në Superligë edhe ika, kam punuar i qetë. Presidenti nuk ndërhynte, kryetari bashkisë nuk ndërhynte, kishe qejf të punoje. Por prapë kur ekipi nuk fiton, fillojnë këto gjëra se njerëzit që shoqërojnë këta presidentë apo kryetarin, i pëshpëritin te veshi atyre për keq, e kështu fillon historia e këtyre heqjeve dhe vënieve të trajnerëve. Prandaj nuk kam ndonjë qejf për momentin tani për tani të rikthehem te ndonjë skuadër në Shqipëri.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë