Futboll

Laçi shkërmoq Teutën, Kukësi përmbyset në Fushë Krujë

Janë mbyllur me surpriza dy ndeshjet e para të javës së 27-të të Superligës Shqiptare. Kukësi është mposhtur në një përballje dramatike në Fushë Krujë nga Kastrioti 2-1, duke komplikuar seriozisht pozitat e tij në luftën për titullin kampion, me krutanët nga ana tjetër që tani shpresojnë për mbijetesë. Në ndeshjen tjetër të kësaj pasdite, Laçi ka shkatërruar 5-0 Teutën, dhe rikthehet bindshëm në luftën për Kupat e Europës pikërisht përballë një rivali të drejtpërdrejtë.

Sfida e zhvilluar në stadiumin “Redi Maloku” dihej që do të ishte shumë e vështirë për Kukësin dhe e tillë ka rezultuar në të vërtetë. Me këtë humbje Kukësi mund të shikojë veten zyrtarisht jashtë luftës për titullin kampion. Ndërsa Kastrioti me këtë fitore i rrit ndjeshëm kuotat e tij për të mbijetuar në Superligë edhe sezonin e ardhshëm. Ekipi i Ramadan Ndreut shënoi i pari 34’ me anë të Shkurtajt, duke krijuar përshtypjen e një ndeshje të lehtë në dukje, por vendasit nuk ishin dorëzuar. Në fillim Çekrezi barazoi më pas në minutën e fundit të rregullt, Ndreca shënoi golin e fitores për Kastriotin, duke e mbyllur këtë sfidë në mënyrën më dramatike të mundshme. Me këtë fitore Kastrioti lëshon sfidë të hapur ndaj Luftëtarit dhe Tiranës dhe ai nuk është dorëzuar, por përkundrazi kërkon më çdo kusht të mbijetojë këtë sezon në elitën e futbollit shqiptar. Krutanët janë me vetëm 3 pikë më pak se Tirana që do të luaj me Flamurtarin. Ndërsa Kukësi tashmë duket i dorëzuar në luftën për titullin kampion dhe do të jetë i fokusuar në Kupën e Shqipërisë, për të mbyllur të paktën me një trofe këtë sezon, ku shpenzimet kanë qenë shumë të mëdha.

Në ndeshjen tjetër me Laçit dhe Teutës të zhvilluar në Kurbin, durrsakët janë shpërfytyruar, duke u mundur thellë 5-0. Një humbje e thellë kjo për të besuarit e Bledi Shkëmbit që tashmë shohin t’ju luhaten pozitat në vendin e tretë, pikërisht nga Laçi i rilindur me në krye Sulejman Starovën. Laçi nuk e diskutoi në asnjë moment këtë fitore, me dy gola në pjesën e parë dhe tre të tjerë në fraksionin e dytë të lojës. Tashmë Laçi ngjitet në kuotën e 41 pikëve në vendin e katërt vetëm 2 pikë më pak se Teuta e vendit të tretë. Kampionati është rruga e vetme për këto dy ekipe për në Kupat e Europës, pasi nga Kupa e Shqipërisë janë eliminuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë