Mes shumë problemesh e hallesh që nga infrastruktura dhe niveli i dobët, futbolli shqiptar këtë sezon duket se është prekur më rëndë se kurrë nga një tjetër “sëmundje”. Është dhuna që këtë edicion të Superligës Shqiptare duket se është ulur këmbëkryq dhe e shohim në çdo javë dhe thuajse në çdo stadium. As vendimi për të pezulluar me një javë kampionatin pas ngjarjes në Kamzë nuk dha efektin që do duhej të kishte për ta minimizuar sado pak këtë fenomen që shëmton futbollin tonë.
Në fakt fill pas këtij pezullimi dhe mbledhjeve pompozeve që u bënë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe Qeveria, grushtet e sendet e forta në kokat e lojtarëve plasën në “stadiumin” Redi Malku në Fushë Krujë. U godit trajneri i Tiranës, Ardian Mema edhe pse në stadium dhe në fushë kishte forca të uniformave blu. Ky ishte një sinjal i parë që kundërshtoi gjithë propagandën e FSHF-së se problemi i dhunës ishte mungesa e policisë në stadiume. Të fortët, ata që goditën Ardian Memën në Fushë Krujë ishin edhe në Tiranë mbrëmjen e së shtunës në fund të ndeshjes së bardhebluve me Laçin. Këtë herë në mungesë të Ardian Memës, objektivi ishin lojtarët e Tiranës. Duke filluar nga anglezi Majkëll Ngo dhe gjithë futbollistët e tjerë të Tiranës, i provuan mbi kokat e tyre grushtet dhe shkelmat e atyre që sërish gjetën mënyrë për të hyrë në ambientet e brendshme të stadiumit.
Kur flasim për të fortë që hyjnë në fushë apo në zhveshtoret e stadiumit nuk bëhet fjalë për njerëz jashtë futbollit që në një moment të caktuar nervozohen dhe shpërthejnë kundër sportistëve. Fjala në këtë rast është për njerëz që janë në brendësi të futbollit shqiptar. Herë si presidentë, donatorë, apo edhe drejtues, këta njerëz të dhunshëm janë ata që kontrollojnë futbollin shqiptar në një mënyrë apo një formë tjetër. Grushtet dhe dhuna në korridoret e stadiumit “Selman Stërmasi” treguan edhe një herë se për të fortët e futbollit shqiptar, pak rëndësi ka nëse aty ka polici private apo forca të policisë së shtetit. Për individë të tillë, dhuna është një mjet për të fituar dhe e përdorin atë pa asnjë hezitim apo frikë. Të gjendur në këtë pikë, kur në kampionatet e të gjitha niveleve në Shqipëri, më shumë po shikojmë skena dhune se sa futboll, a mos do ishte koha për një ‘”blackout” të vërtetë për një vit deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



