Futboll

Ndreu: Me Partizanin luajmë pa presion, kemi sulmin më të mirë

Nëse fiton me Partizanin këtë të premte, hap luftën për titull, nëse humbet, Kukësi do duhet të kënaqet vetëm me vendin e dytë në kampionat. Në prag të kësaj ndeshje shumë të rëndësishme për klubin verilindor, para medieve ka dalë trajneri i ri Ramdan Ndreu. I ulur në stolin e Kukësit vetëm tre javë më parë, Ndreu është shprehur optimist për arritjen e një rezultati pozitiv. Për teknikun e verilindorëve, ndeshja është e rëndësishme, por gjithsesi Kukësi do të luftojë për titullin kampion deri në momentin që ia lejon matematika.

“Gara për titullin është e hapur deri sa lejon matematika. Nuk kemi presion. U kam thënë futbollistëve, të tregojmë se jemi skuadër e mirë jo vetëm në letër. Futbolli të sjell edhe humbje, apo barazime. Ne duam të fitojmë dhe do bëjmë maksimumin.”

Më tej Ndreu shprehu vlerësim maksimal për ekipin e Partizanit, duke thënë se është me meritë në atë pozicion që është për pjesën më të madhe të kampionatit. Për Ndreun mungesat nuk kanë për të ndikuar shumë në lojën e kryeqytetasve dhe ai pret që në “Loro Boriçi të zhvillohet një ndeshje e fortë dhe e luftuar deri në fund. “Ndeshja me Partizanin është e rëndësisë së veçantë, pasi kanë kryesuar gjatë gjithë kampionatit. Gjatë kësaj periudhe jam i kënaqur me punën e bërë. Kemi avantazhe dhe jemi më të etur për të marrë pikët, si dhe jemi një skuadër që mund të rivalizojmë deri në fund. Duke krahasuar dy skuadrat, kemi avantazhe. Shoh më shumë mobilizim për të marrë fitore. Kuptohet do shumë shumë punë, pasi Partizani jo kot është në krye. I dimë mungesat e kundërshtarit. Jam trajner që nuk i njoh mungesat. Edhe ata që janë në stol japin më shumë kur u vjen momenti. Ndoshta Shameti, që është një shtyllë, është një goditje. Na mungon Ethemi, që hyn te mungesat e rëndësishme. Këta të stolit do japin më të mirën.”

Më tej për sa i përket pikave të forta të të dyja ekipeve, Ramadan Ndreu tha se nëse Partizani ka një repart mbrojtës shumë të fortë, skuadra e tij ka sulmin më të fortë. Për numrin një të stolit të Kukësit, me rikthimin e Ramës e Korderios ekipi i tij bëhet i frikshëm. “Nëse ata kanë mbrojtjen më të mirë, ne kemi sulmin. Jemi munduar të punojmë me kujdes, e kemi ndjekur Partizanin me kujdes. Me sulmin që kemi mendojmë ta çajmë kundërshtarin. Sulmi nis nga mbrojtja dhe jemi munduar të qarkullojmë topin dhe të dalim para portës. Kemi lojtarë që në fund duhet ta zgjidhin. Nuk ka asgjë nëse ndonjë nga sulmuesit e nis nga stoli. Na kthehen Rama e Korderio dhe do jemi të frikshëm në sulm. Në këto momente skuadra do vazhdojë me lirshmërinë e vet. Do ndërhyj në disa gjëra të vogla. Do luajmë në sulm, por nuk do harrojmë mbrojtjen.”

Për çështjen e çmimit të lartë të biletave që janë caktuar nga Kukësi për ndeshjen e nesërme, Ndreu tha se ai është i kënaqur që do të luaj në Shkodër për shkak të terrenit dhe se nuk komenton vendimmarrjet e klubit. “Nuk më përket mua kjo pjesa e çmimit të biletës. Ashtu e ka parë të arsyeshme klubi. Jemi menduar për fushën, nuk ishte strategji. Fusha në Elbasan nuk është shumë e mirë, në Shkodër është më mirë. Po të isha tifoz, do shkoja dhe do blija biletën 10 mijë lekë”, – u shpreh Ramdan Ndreu.

Trajneri i Kukësit në këtë konferencë për shtyp në prag të ndeshjes me Partizanin ishte i shoqëruar nga mesfushori Valdet Rama, i cili gjithashtu u shpreh optimist në arritjen e një rezultati pozitiv në këtë ndeshje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë