Futboll

Hyn në histori, Kualiarela thyen rekordin e Panuçit

Thyerja e rekordeve për Fabio Kualiarelën këtë sezon po bëhet një gjë mëse e zakonshme. Sulmuesi veteran që po lufton për këpucën e artë në Serinë A, duke rivalizuar me Kristianon Ronaldon, këtë herë ka thyer një tjetër rekord. Bëhet fjalë për një rekord që kishte kohë që nuk ishte i thyer në kombëtaren italiane. Me golat e shënuar mbrëmjen e shkuar në ndeshjen Itali-Lihtenshtejn, Kualiarela është bërë zyrtarisht golashënuesi më i vjetër në historinë e kombëtares axurre.

Kualiarela u fut në lojë nga Mançini që nga minuta e parë dhe ia doli që ta shpërblejë besimin e trajnerit me gola. Edhe pse me penallti që të dy golat, Kualiarela ia doli që të mbajë një ritëm të lartë dhe të tërheq skuadrën në sulm, duke qenë se rivali ishte mëse modest. Kualiarela tashmë do jetë në krye të këtij klasifikimi të veçantë, duke lënë shumë pas ndjekësin më të afërt, që është ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Panuçi.

Mbajtësi i mëparshëm i këtij rekordi, Kristian Panuçi kishte shënuar gol me kombëtaren italiane kur kishte qenë 35 vjeç e 2 muaj. Në vendin e tretë pas Panuçit, vjen një tjetër sulmues që shkëlqimin e pati në fundin e karrierës, si Antonio Di Natale, që ka shënuar me “axurrët” kur ishte 34 vjeç e 7 muaj. Pas tij është Kanavaro me vetëm 3 muaj diferencë, që ndiqet nga Andrea Pirlo dhe në vendin e gjashtë është Pietro Vikervud.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë