Duhen edhe dy ditë nga fillimi i ndeshjes kryesore të Superligës që pritet të vendosë shumë për luftën e titullit kampion mes Kukësit dhe Partizanit. Por që tani kanë filluar përplasjet e para mes dy palëve. Motivi i sulmeve në distancë mes dy tifozerive këtë herë është bërë vendimi i klubit të Kukësit për çmimin e biletave në ndeshjen e së premtës.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, klubi verilindor ka bërë me dije se bileta më e lirë për të hyrë në “Loro Boriçi” ditën e premtë do të jetë 1 mijë lekë të reja. Ky është një çmim i padëgjuar më parë në Kategorinë Superiore, ku zakonisht biletat variojnë në 200 ose 300 lekë të reja. Nuk ka pasur ndonjë shpjegim nga Kukësi lidhur me motivin e vendosjes së këtyre çmimeve kaq të larta për ndeshjen e së premtes.
Lidhur me këtë vendim të Kukësit ka ardhur menjëherë reagimi nga grupimi i tifozëve ultras të Partizani, “Ultras Guerrils”. Përmes një postimi në rrjetet sociale tifozët e kuq i janë kundërpërgjigjur këtij vendimi të Kukësit, duke bërë thirrje që në Shkodër ditën e premte të vërshojnë sa më shumë tifozë.
“Fakti që dikush ka rritur çmimin e biletës me idenë se do pengojë tifozerinë e Partizanit, ose do të përfitojë duke pasur të sigurt masivitetin tonë, nuk na shqetëson, irriton apo provokon, përkundrazi për në është vlerësim. Kjo do të thotë që i tremben koreve e këngëve tona, i tmerron ngjyra e kuqe dhe flamujt që valëviten, i tmerron uragani që krijohet kur tifozeria e kuqe dyndet ashtu siç di ajo.”- shkruhet ndër të tjera në postimin e tifozëve të Partizanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




