Ngjarje

“Kadastra” kthehet në ligj: Amnisti për hipotekimet


Bledar Hoti - Ligji i ri “Për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës” hyn fuqi brenda 15 ditësh, pasi është botuar në Fletoren më të fundit Zyrtare. Ligji i ri pësoi ndryshime pas kthimit mbrapsht që presidenti ndërmori me dekretin e nxjerrë, duke i kërkuar Parlamentit që ta rishikonte nismën.
Por herën e dytë, ligji shkoi sërish në Presidencë, por kreu i shtetit e kaloi atë në heshtje, duke bërë që ai të botohet në Fletoren Zyrtare.
Agjencia e Kadastrës do të jetë institucioni që do të jetë në varësi të Kryeministrit, duke ia hequr varësinë Ministrisë së Drejtësisë. Kjo Agjenci do të krijohet nga shkrirja e tre institucioneve në një të vetëm, të ALUIZNI-t, Hipotekës dhe Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike.
Drejtori i ri brenda 10 ditëve, fati i punonjësve pas zgjedhjeve
Drejtori i ri Agjencisë së Kadastrës do të emërohet nga Kryeministri. Sipas dispozitës tranzitore, kryeministri duhet ta emërojë drejtorin e ri brenda 10 ditësh nga hyrja në fuqi të këtij ligji. Sipas përllogaritjeve, kreu i ri i Agjencisë së Kadastrës do të emërohet brenda muajit mars.
Sa i përket shkrirjes së 3 institucioneve, Agjencia si një e vetme duhet të krijohet brenda 30 ditëve. Ndërsa Këshilli i Agjencisë, i cili përbëhet nga 7 anëtarë duhet të krijohet brenda 15 ditësh. Ky organ kryen emërimet e drejtorëve të varësisë, në bashkëpunim me drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë.


Sa i përket fatit të punonjësve të tre institucioneve, mësohet se vendimi do të merret pa gjashtë muajsh, pas ristrukturimit të këtij institucioni. Kjo duket se përkon me zgjedhjet vendore, pasi qeveria për të mos rritur pakënaqësitë për largime punonjësish që mund të shkaktonte pakënaqësi në votime e ardhshme, ka menduar të shtyjë reduktimin e numrit të punonjësve.
Ligji detyron që brenda 15 ditëve nga hyrja në hyrja në fuqi e këtij ligji, thirret mbledhja e parë e Këshillit Drejtues të ASHK-së, në të cilën propozohet për miratim struktura dhe organika e Agjencisë, si dhe niveli i pagave të punonjësve të Agjencisë, të cilat duhet të miratohet nga Kryeministri.
“Të gjithë punonjësit e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Objekteve/Ndërtimeve Informale, konsiderohen punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për një periudhë kalimtare 6-mujore nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nëse nuk preken nga ristrukturimi dhe plotësojnë kriteret e kualifikimit, sipas rregulloreve të miratuara nga këshilli drejtues i ASHK-së. Përjashtimisht për punonjësit e Agjencisë së Inventarizimit të Pronave të Paluajtshme Publike ndiqen procedurat e parashikuara në legjislacionin për nëpunësin civil”, thuhet në pikën 4 të nenit 69 të ligjit.

Amnistia për penalizimet në Hipotekë
Hyrja në fuqi e ligjit të ri për krijimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës do të sjellë edhe një “amnisti” për pronat e paregjistruara në zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në ligjin e mëparshëm parashikohej se nëse një kërkesë për regjistrim paraqitej më vonë se 30 ditë nga data e realizimit të tij, përveç tarifës së regjistrimit, për çdo ditë vonesë, që ka kaluar nga kjo datë, paguhej kamatëvonesë, e barabartë me 10 për qind të tarifës së regjistrimit, por jo më shumë se 300 000 lekë.
Për të mos penguar procesin e dhënies së certifikatës së pronësisë, është menduar që t’i jepet afat, duke riparaqitur kërkesat për hipotekat.
“Të gjitha subjektet që gëzojnë një titull pronësie apo të drejtë tjetër reale, të fituar në përputhje me ligjin dhe të regjistrueshëm në regjistrat publikë, sipas nenit 193, të Kodit Civil, dhe që nuk kanë aplikuar për regjistrim pranë zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme brenda afatit ligjor, rivendosen në afat për aplikim, 30 ditë, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thuhet në nenit 70 të ligjit.


Pika dy e po këtij ligji përcakton se “ Të gjitha kamatëvonesat që janë gjeneruar nga sistemi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme, deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, për shkak të mos aplikimit në kohë për regjistrim të dokumentacionit, sipas nenit 39, të ligjit nr. 33/2012, “Për regjistrimin e pasurive tё paluajtshme”, të ndryshuar, shuhen. Subjektet, që aplikojnë brenda afatit të parashikuar në pikën 1, të këtij neni, paguajnë vetëm tarifën aktuale për regjistrimin e aktit”.
Pra me ligjin e ri, parashikohet se të gjitha kamatëvonesat e gjeneruara nga sistemi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, pra deri me 20 mars, do të shuhen. Nga data 20 mars deri me datën 20 prill ata që kanë veç tarifës së regjistrimit të pasurisë kanë edhe kamatëvonesë, do të mund të bëjnë regjistrimin duke paguar vetëm tarifën e regjistrimit, pasi kamatëvonesa u falet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë