Rend dhe Ligj

Aksidenti në Tiranë/ Pezullohen 79 leje drejtimi, arrestohen 16 drejtues mjetesh

Gazeta Si - Pas aksidentit të rëndë që ndodhi të dielën, 8 maj, në “Rrugën e Kavajës”, Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet në rrugë.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, në të gjithë vendin janë pezulluar 79 leje drejtimi, nga të cilat 39 për shpejtësi (të matura me radarët automatikë), 29 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 11 për qarkullim në sens të kundërt.

Policia ka arrestuar në flagrancë 16 drejtues mjetesh, nga të cilët 10 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, janë vendosur 2874 masa administrative, për shkelje që janë burim potencial për përfshirje në aksidente rrugore.

Konkretisht, bëhet fjalë për mosvendosje të rripit të sigurimit, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, parakalime të gabuara, për mosdhënie përparësie këmbësorëve, për gara shpejtësie e manovra të rrezikshme, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit e shpejtësi tej normave të lejuara dhe për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.

Ndërkohë, makina inteligjente, pas kolaudimit në Gjermani, hyn sërish në veprim, për të evidentuar dhe ndëshkuar drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, përdorin aparatin celular apo nuk vendosin rripin e sigurimit, gjatë drejtimit të mjetit.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, në rrugët e kryeqytetit, vetëm nga makina inteligjente janë evidentuar: 100 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi 2 deri në 4-fish mbi normën e lejuar.

Policia iu ka pezulluar lejën e drejtimit nga 2 deri në 10 muaj, iu janë zbritur nga 3 deri në 13 pikë në lejen e drejtimit, si dhe janë ndëshkuar me masë administrative nga 7000 deri në 25.000 lekë të rinj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë