Rend dhe Ligj

900 ankesa për vendimet e gjykatave, Metani: Puna nis me lirimin e të “fortëve”

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë do të nisë punën duke verifikuar dosjet e lirimit para kohe me kusht të personave të dënuar për vepra të rënda penale. Prej muajsh të fortët edhe pse kanë pasur vendime me burgim të përjetshëm apo me 25 vite burime kanë dalë në liri me kusht sipas vendimeve të gjykatave. Rasti më flagrant ishte ai i vendimit të gjykatës së Krujës, ku gjyqtarja Enkelejda Hoxha vendosi të lirojë Endrit Doklen, i dënuar me burgim të përjetshëm. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Meta në një konferencë për median bëri të ditur se që nga 1 shkurti deri më tani janë grumbulluar 900 ankesa të ndryshme që kanë të bëjnë me vendimet të dhëna nga gjykatat apo prokurorët për çështjet penale, civile, tregtare dhe të tjera. “Nga sot do të filloj hetimet për lirimet. Të shmangemi nga emrat, rëndësi ka fenomeni përveç emrave publikë ka edhe emra jo publikë ka disa gjykata në të cilat ka ndodhur dhe inspektimi i parë do jetë tematik për të parë ku po ndodh ky fenomen, do bëj publike edhe rastet ku do ndërhyhet dhe si do ndërhyhet”, theksoi Metani. Si prioritet për kryeinspektorin do të jenë vendimet e dhëna nga gjykata për lirimin e personave me precedentë penale, që sipas tij, janë bërë publike dhe ose janë të “fshehura” të  pamediatizuara.

Metani u pyet edhe për aktin normativ i njohur ndryshe si Anti KÇK, por që sipas tij, ligji i miratuar me urgjencë  nga qeveria nuk ka lidhje me punën që  i është ngarkuar nga Parlamenti. Është pikërisht Parlamenti që një ditë më parë ndryshoi ligjin, duke i kërkuar shkurtimin e afateve në lidhje me procesin e ankimimit dhe paraqitjes për masave disiplinore të Inspektoriatit pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë Prokurorisë. Kështu me këto ndryshime këto dy organe të reja të drejtësisë KLP dhe KLGJ do të duhet që brenda tre ditëve të japin vendime për pezullim e prokurorëve apo gjyqtarëve.

Metani u pyet nga media edhe për faktin se si i komenton akuzat e opozitës se është në këtë post për shkak se është vëllai i deputetes së PS-së, Eglantina Gjermeni. “Unë vlerësoj që koha është treguesi më i mirë për gjithcka e gjyqtari më i mirë për të gjithë ne”, theksoi Metani.

Endrit Dokle, Lulzim Berisha, Gert Gjinerari, Elidon Kotorri, Lulzim Caka janë disa prej personave që janë liruar me vendim gjykatash, edhe pse ishin dënuar me burgim të përjetshëm apo dhe deri në 25 vite burgim. Ata dolën nga burgjet “për sjellje të mirë” dhe me argumentimin “se ishin penduar për krimet që kishin kryer”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë