Editorial

Kjo s’është KÇK, është KVK!

Pa u mbushur ende gjashtë muaj nga miratimi i reformës në drejtësi në Kuvend, Lulzim Berisha lirohet para kohe nga burgu për sjellje të mirë, ku si garanci kishte dalë Bashkia e Durrësit që i kishte ofruar një vend pune tek ndërmarrja e gjelbërimit.

Pas Lul Berishës, lirohet nga burgu i Kosovës Lul Caka. Për këtë të fundit arsyetimi nuk ishte sjellja e mirë, por bëhej fjalë për një “lapsus” në përllogaritjen e kohës që ai kishte kaluar pas hekurave. Kur autoritetet e kuptuan “lapsusin” dhe e shpallën në kërkim, i forti i Beratit i dënuar për vrasje nga më mizoret në 1997 kishte marrë arratinë.

Vendime e dyshimta vijojnë me një tjetër emër të bujshëm. Viktor Ymeri u lirua nga Gjykata e Elbasanit. Ish-anëtari i bandës së Gaxhait në Vlorë dhe daja i Edison Harizajt një tjetër emër i botës së krimit, i ekzekutuar në një atentat në Durrës ishte dënuar për dy vrasje të ndodhura në vitin 1999. Prokuroria nuk u pajtua me këtë vendim dhe deklaroi se do ta apelojë atë.

Rasti i fundit i bujshëm mbërrin nga Gjykata e Krujës. Indrit Dokle ja doli mbanë që të shmangë dënimin me burg përjetë dhe të fitojë lirinë, pavarësisht se disa vite më parë, gjatë kohës që vuante dënimin me burg përjetë u dënua me 16 vite burg për akuzën e drejtimit të një grupi të strukturuar kriminal në fushën e trafikut të drogës në drejtim të Italisë.

Emrat e mësipërm janë ndër më të bujshmit . Ata nuk ndodheshin pas hekurave se nuk kishin paguar energjinë elektrike, se kishin vjedhur komshiun, apo një tjetër. Nuk ishin kapur të dehur në timon dhe as nuk ishin dënuar, as për kultivim dhe shitje kanabisi. Ata qëndronin pas hekurave me disa vrasje mbi shpinë dhe në CV-në e tranzicionit 30-vjeçar shqiptar janë protagonistë të njollës më të madhe. Prandaj, lirimi i tyre nuk është thjesht një vendim i dyshimtë e me gjasë i korruptuar, por është një kërcënim për sigurinë e të gjithëve.

Kur Kryeministri përdori termin “KÇK”, apo “Kap ça të kapësh” e kishte kuptuar se prokurorë e gjyqtarë që nuk kishin kaluar vettingun po përdornin drejtësinë për pazaret e fundit për përfitime personale. Por kjo nuk mund të jetë më thjesht financiare dhe as një drejtësi e lëshuar pa duar me moton “Kap ça të kapësh”.

Nuk është “KÇK”, por është “Klani i vrasësve me kollare”, KVK, që po shesin sigurinë e të gjithë shoqërisë. Vendet e në ish-qelitë e Lul Berishës, Lul Cakës, Viktor Ymerit e Indrit Dokles kanë mbetur bosh dhe këtë e di edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor i formuar nga reforma në drejtësi…

 

Më Shumë