Ngjarje

6 mijë të zhdukur nga regjimi, kërkimi nëpërmjet aplikacioneve


Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit përveç procesit të hapjes së dosjeve dhe të zbulimit të ish-spiunëve është angazhuar edhe në procesin e evidentimit dhe të kërkimit të personave të zhdukur, të pushkatuar pa gjyq gjatë regjimit komunist. Sipas raportit të paraqitur nga ky institucion në Kuvend, numri i njerëzve që janë rrëmbyer ose burgosur fshehurazi gjatë diktaturës mbetet i panjohur, por vlerësohet të jenë rreth 6 000 persona të zhdukur, të cilëve nuk iu dihet vendvarrimi.

Grupi i Punës i OKB-së për personat e zhdukur në mënyrë të detyruar apo vullnetare (WGEID) la disa rekomandime për Shqipërinë, për të trajtuar krimet e kryera gjatë periudhës së diktaturës komuniste. WGEID, sipas raportit, rekomandoi që Shqipëria të njohë zhdukjet e detyruara të së kaluarës dhe të garantojë mospërsëritjen e tyre, duke gjetur një sistem të përshtatshëm.

Gjithashtu, kërkoi krijimin e një sistemi që ka qasje gjithëpërfshirëse, në vend të masave të copëzuara, për të shuar gjithë paragjykimet që rezultojnë nga represioni i kaluar politik.
Nisur nga këto detyrime, Autoriteti mësohet se është angazhuar aktivisht dhe ka bashkëpunuar me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) dhe institucionet e tjera publike në vend për personat e humbur, Institutin i Integrimit të të Përndjekurve Politikë dhe po punon konkretisht në sigurimin e informacionit dokumentar të lidhur me ta, po ashtu, në ngritjen e çështjes dhe lobimin me institucione publike e ndërkombëtare për avancim të kërkimeve. Kështu mësohet se po bashkëpunohet me Prokurorinë të personave të zhdukur në diktaturë, si dhe me qeverisjen lokale për këto kërkime, si dhe për të mundësuar propozime konkrete për vendet e Kujtesës.

Foto nga vrasjet në kufi

Për t’i shërbyer këtij procesi, Autoriteti ka vendosur dy aplikacioneve online që do të ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Këto aplikacione ndihmojnë familjarët e personave të zhdukur të raportojnë rastet, si dhe të marrin informacion në lidhje me statusin e rasteve individuale të personave të zhdukur. Treguesi i vendvarrezave i mundëson përdoruesve që në mënyrë anonime të japin informacion mbi vendndodhjen e ku mund të gjenden mbetjet njerëzore të personave të zhdukur. Aplikacionet janë publikuar dhe vendosur në faqen zyrtare në AIDSSH-së, për të gjithë të interesuarit.

Aplikacioni, si përdoret
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) dhe Institutin e ish-të Përndjekurve Politikë ka vendosur dy aplikacione online, të cilat do të ndihmojnë procesin e gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri. Qendra e Kërkimit Online e ICMP-së (OIC) është një mjet për të siguruar informacion për një person të zhdukur.

Ky burim online mund të përdoret nga familjet e të zhdukurve dhe të tjerët. Zhvilluar mbi bazën e përvojën afatgjatë të ICMP për të ndihmuar qeveritë, familjet e të zhdukurve dhe të tjerët, OIC është një vend ku informacioni konkret dhe i përdorshëm mblidhet e ruhet në mënyrë që të mund të përdoret kur është e nevojshme në kërkimin e personave të zhdukur. Aplikacioni mundëson paraqitjen e rasteve të personave të zhdukur duke dhënë detaje, si emrin, datën e lindjes, vendin ku personi i zhdukur është parë së fundmi.

Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e Ish Sigurimit, Gentiana Sula, drejtori i Projektit te ICMP për Ballkanin, Matthew Holliday gjatë prezantimit të dy aplikacioneve online, të cilat do të ndihmojnë procesin e gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri.

Nëse ka informacion shtesë për një person të zhdukur, mund të paraqitet edhe ai. Aplikacioni mundëson edhe marrjen e informacioneve nga familjet e personave të zhdukur që kanë dorëzuar kampionët e ADN-së tek ICMP, për të përcjellë statusin e rastit në secilën fazë të përpunimit.
Opsioni Raporto për personin e Zhdukur pranon të dhënat bazë për personin e zhdukur, përfshirë të dhënat për personin(at) më të afërt të gjallë, dhe çdo detaj tjetër shtesë për rrethanat e zhdukjes. Në fazën Raporto Personin e Zhdukur, përdoruesit mundë të tregojnë se sa pak ose sa shumë ata janë të gatshëm të lejojnë shkëmbimin e informacionit.

Ata, për shembull, mund të pajtohen të shkëmbejnë informacionet me ICMP, por jo edhe me qeveritë apo organizatat tjera. Sa më gjerë të shkëmbehen informacionet, aq më shumë ka të ngjarë që ato mundë të bëhen për të ndihmuar gjetjen dhe identifikimin e personit të zhdukur, por ICMP mban politikë të sigurisë absolute të të dhënave: nëse nuk dëshironi që informacionet tuaja të shkëmbehen, ato nuk do të shkëmbehen. Përdoruesi vendos se në çfarë mase të dhënat mundë të shkëmbehen para se të Parashtroj Formularin për Personin e Zhdukur. Të dhënat personale përdoren vetëm për qëllimet për të cilat janë dhënë. Më shumë informacion ka te Politikat e mbrojtjes së të dhënave të ICMP-së.

Shifrat e raportit
Gjatë vitit 2018, sipas raportit, në adresë të AIDSSH-së janë paraqitur 57 kërkesa me objekt rehabilitimin dhe qartësimin e fatit të vdekurve apo të të zhdukurve. Rezulton se 35 kërkesa janë përfunduar me vendimmarrje të Autoritetit dhe janë në proces verifikimi 22 të tjera.
Gjithashtu bëhet e ditur se janë paraqitur 612 aplikime nga subjekte në cilësinë e të prekurit apo familjarit të të vdekurit apo zhdukurit; Janë përmbyllur procedurat për 305 kërkesa individuale.
“Për 174 kërkesa individuale për të cilat janë mbyllur procedurat, ka rezultuar se ka dokumente të krijuara nga ana e organeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Ky dokumentacion është marrë nga drejtoria e arkivit, është përpunuar dhe shqyrtuar sipas kritereve ligjore nga ana e drejtorisë së informacionit, duke filluar nga përgatitja e relacioneve, materialet mbështetëse, vendimet, procesverbalet dhe kthimet e përgjigjeve kërkuesve, mbi bazën e vendimmarrjes nga Autoriteti, për mbylljen e procedurës dhe dhënien e dokumentacionit dublikatë aplikuesve”, thuhet në raport.

Për 131 kërkesa individuale, pas verifikimit nga ana e drejtorisë së arkivit ka rezultuar se nuk ka të dhëna/dokumente të krijuara nga ana e organeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Drejtoria e informacionit ka vijuar procedurën me përgatitjen e relacionit, vendimeve përkatëse dhe shkresës për përcjellje të vendimeve subjekteve aplikues, me qëllim mbylljen e procedurës.
AIDSSH i ka kushtuar kujdes të veçantë balancimit të parimeve konkurruese të transparencës dhe privatësisë, duke i dhënë paritet misionit të saj informim me transparencë, duke i dhënë përparësi transparencës mbi privatësinë, kur ka qenë e mundur.

Në këtë kuadër vlen të theksohet se, pavarësisht mungesës së stafit, gjatë vitit 2018, AIDSSH ka bërë të mundur shqyrtimin, verifikimin dhe përpunimin e 612 kërkesave individuale, të përfunduara me vendimmarrje të Autoritetit janë 305 kërkesa, nga të cilat 174 prej tyre kanë rezultuar me të dhëna, sipas rastit dosje formularë, përpunimi, pune, personale, operative dhe hetimore – gjyqësore dhe 131 kërkesa kanë rezultuar pa dokumentacion arkivor. Numri i dokumenteve të përpunuara, të njohura dhe dorëzuara te kërkuesit gjatë vitit 2018 është gjithsej 42.149 faqe, nga të cilat 14.983 faqe të anonimizuara.

Në krahasim me vitin 2017, ka në rritje të numrit të aplikimeve dhe të rasteve të shërbyera, si në planin sasior edhe cilësor, falë përmirësimit relativisht të kushteve të punës me zgjerimin e disa ambienteve, shtimit të organikës dhe asistencës teknike të dhënë me vlerë të veçantë nga Ambasada Gjermane.

Historia e 22 të pushkatuarve pa gjyq për bombën e ambasadës ruse


Gjashtëdhjetë e tetë vjet më parë, pasdreken e datës 19 shkurt 1951, u hodh një sasi e vogël dinamiti në oborrin e ndërtesës së ambasadës sovjetike. Ky akt misterioz u kthye në alarm në Ministrinë e Brendshme dhe në qarqet e larta politike të Tiranës dhe shqetësim në Ambasadën Sovjetike të Tiranës dhe në Ministrinë e Jashtme të BS-së.

Pleniumi i KQ të PPSH i ndërpreu përkohësisht punimet, sepse u mblodh urgjentisht Byroja Politike e KQ të PPSH, që mori në shqyrtim incidentin e rëndë në Ambasadën Sovjetike. Ministri i Brendshëm kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë, disa qindra persona, pa bërë hetime për ngjarjen dhe pa gjetur provat për personat e pandehur. Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit përpiluan listën e vdekjes, arrestimin dhe pushkatimin e 22 vetave (nga datat 19-26 shkurt 1951).

Vendi ku u gjetën eshtrat e 22 intelektualëve

Familjet e të ekzekutuarve u përndoqën brutalisht për vite me radhë. Në korrik të vitit 1991 ata kërkuan pafajësinë e familjarëve të pushkatuar pa gjyq. Vendimi i Gjykatës së Lartë i shpalli të pafajshëm 22 intelektualët e dënuar. Në vitin 1993 të sinjalizuar nga banorë të zonës dhe të orientuar nga dëshmitarë okularë, familjarët arritën të gjenin vendekzekutimin dhe vendvarrimin e përfolur pranë Urës së Beshirit. Me identifikimin e vendit u krye edhe zhvarrimi i tyre dhe më pas rivarrimi me të gjitha nderimet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë