Futboll

28 vite pritje, Liverpul gati për titullin

Një mungesë prej 28 vitesh dhe tashmë në Angli kanë filluar të besojnë se Liverpuli e ka harruar se si fitohet “Premier League”. Por ka nga ata që thonë se 2018-2019-ta është sezoni i duhur për të thyer mallkimin dhe trofeu më i lakmuar në ishullin britanik të shkojë në Liverpul. Një nga ata është Dean Saunders, ish-futbollist i Liverpulit, kur kjo skuadër fitoi për herë të fundit titullin kampion.

“Me shpenzimet e mëdha gjatë verës, Liverpul i ka dërguar një mesazh botës dhe se ata tani janë pretendentët e vërtetë për titullin e Premier League”, beson Dean Saunders.

Dean Saunders duke festuar fitimin e kampionatin e fundit të Liverpul në vitin 1990

“Të kuqtë” kanë shpenzuar mbi 160 millionë paundë gjatë kësaj merkatoje, duke blerë mesfushorët Nabi Keita dhe Fabinho, plus edhe anësorin Xherdan Shaqiri.

Tashmë një nga sektorët që ishte konsideruar i dobët vitin e fundit, mesfusha është sistemuar, duke pasur parasysh që dy lojtarët e afruar si Keita dhe Fabinjo janë cilësuar si ndër më të mirët në rolin e tyre. Por edhe marrja e Shaqirit zgjidh një tjetër problem të madh, siç është koha kur do duhet të pushojnë Mane ose Salah, ai është gati për të hyrë në fushë dhe të ruaj të njëjtin nivel loje.

Gjithashtu Liverpul konfirmoi nënshkrimin me portierin Alison të enjten në mbrëmje, me një marrëveshje që e kaloi shifrën 67 milionë paund, duke e bërë gardianin brazilian, më të shtrenjtin e historisë së futbollit.

Pas këtyre transferimeve, trajneri gjerman, Jurgen Klopp ka konfirmuar se nuk pret që të sjellë lojtarë të tjerë në “Anfield” në këtë merkato vere. 

Llallana, Salah, Mane dhe Firmonjo duke festuar një gol

Ish-sulmuesi i Liverpul, Saunders beson se tekniku gjerman i ka "mbyllur të gjitha boshllëqet" në skuadrën e tij dhe thotë se “të kuqtë” tanimë janë të pandalshëm. Me një treshe të frikshme në sulm e përbërë nga Mohamed Salah, Sadio Mane dhe Roberto Firmino, skuadra me më shumë tituj kampion në Angli, ka një shans të madh për t'i dhënë fund 28 viteve pritje dhe për ta marrë në shtëpi titullin aq shumë të lakmuar.

Duke folur në “talkSPORT” Saunders tha: "Cilat ishin problemet e Liverpulit vitin e kaluar? Skuadra nuk ishte e maturuar mjaftueshëm, kishte mangësi në stol dhe një portier jo në nivelin e duhur. Por tani Klopi ka mbyllur të gjitha boshllëqet dhe ka ndërtuar diçka të qëndrueshme. Dhe sigurisht fokusi është te sulmi, ku Mane, Salah Firminjo janë të pandalshëm”, shprehet ai.

"Liverpuli në sezonin që vjen me shumë mundësi do të jetë ekipi më i shpejtë në botë, dhe më besoni ata janë individë që dinë si ta shfrytëzojnë më së miri këtë avantazh. Unë do vë një bast dhe shpresoj që mos të gaboj në shënjestër, por unë mendoj se ata kanë shanset më të mëdha për ta fituar ligën këtë vit. Ata kanë shpenzuar 172 milionë dollarë në verë duke e mbyllur hendekun që kishin me dy skuadrat e Mançesterit”, ka treguar më tej ish-sulmuesi i “të kuqve”.

"Me gjithë këto para të hedhura, ata kanë dërguar një mesazh për të gjithë rivalët, ‘ne po përpiqemi të fitojmë Ligën Premier dhe Ligën e Kampionëve’, sa do e arrijnë vetëm koha do e tregojë. Menaxheri është shumë i fokusuar dhe unë mendoj se Liverpuli ka një shans të madh për ta fituar ligën,” ka mbyllur rrëfimin e tij Dean Saunders.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë