Politike

‘25 vite Kushtetutë’ grupi Berisha-Bardhi mungon, Manja: Jemi kthyer në vitin ’98 me debatin kushtetues. Begaj: Rishikimi i saj kërkon maturi

Në Kuvendin e Shqipërisë po zhvillohet veprimtaria 25 vite Kushtetutë ku marrin pjesë ekspertë konstitucionalistë, drejtues të politikës dhe personalitete të vendeve mike.

Grupi parlamentar i PD-së (ai me shumicë deputetësh) i drejtuar nga Gazment Bardhi nuk ka çuar përfaqësues.

Bardhi ka shpjeguar më herët arsyet e mungesës përmes një letre.

Ndërkohë, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, tha gjatë fjalës së saj se Kuvendi ka qenë dhe është i vendosur për zbatimin e Kushtetutës.

Nikolla është shprehur se falë sistemit të drejtësisë po thyhet miti i të paprekshmëve dhe askush nuk është më mbi ligjin.

“Miti i të paprekshmëve po thyhet. Askush përmbi ligjin”, tha Nikolla

Kryetarja e gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, tha se gjykata Kushtetuese është ajo që thotë fjalën e saj të fundit dhe se kjo duhet të pranohet nga të gjithë.

“Kushtetuta është streha e përbashkët që përfaqëson shtetin e së drejtës dhe të drejtën. Ajo është kryefjala e diskursit tonë të përditshëm politik e qytetar. Për të gjetur të drejtën të gjithë i kthehemi Kushtetutës. Gjykata, thirret të thotë fjalën e fundit sa herë nevojitet. Ky është mision që gjyqtarët e mbajnë me seriozitet e përkushtim. Gjatë 3 dekadave të funksionimit, gjykata ka ndihmuar në zbatimin e Kushtetutës. Në këtë kuadër edhe vendimet e gjykatës bëjnë një pjesë të veçantë, orientohen nga 1 busull, Kushtetuta. Gjykata është e ndërgjegjshme për përgjegjësitë në përmbushjen e misionit, por edhe koston që sjell kjo përgjegjësi. Vendimet mbajnë përgjegjësinë e palëve të pakënaqura. Aktorët duhet të pranojnë vendimet e saj. Kritikat ndaj gjykatës dhe gjyqtarëve janë indikatorë të lirisë së shprehjes, por deri në masën kur nuk kthehen në sulm ndaj tyre. Pushteti gjyq mund të luajë rolin e tij vetëm i pavarur,” tha Zaçaj.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, përmendi situatën në të cilën politika ndodhet sot dhe kaosin që është krijuar së fundi në seancat parlamentare dhe komisionet.

“Gjatë këtyre viteve përpos ndasive politike kemi ndërtuar edhe konsensuse politike për të sjellë ndryshime të nevojshme.

Sot në Kuvend kemi kthim në vitin 1998 në kohën e debatit kushtetues. Me bindjen se arsyeja njerëzore do të fitojë ndaj çdo force që synon të minojë demokracinë, kthimin te parlamentarizmi e dikton vetë Kushtetuta”, tha Manja.

Presidenti Bajram Begaj në fjalën e tij tha se sfida e sistemit gjyqësor sot është se po përballet me një numër të lartë dosjesh që janë në shqyrtim.

“Rishikimi i Kushtetutës për shkak të zhvillimeve e realiteteve të reja duhet vlerësuar me kujdes, maturi, e ekspertizë, duke mbajtur në vëmendje të ardhmen evropianë, parimet themelore e shtyllat kryesore të saj. Sistemi i drejtësisë po përballet me një sfidë të madhe, për shkak të numrit të madh që gjykatat kanë në shqyrtim. Duhet të mendojmë zgjidhje sa më të shpejta dhe efektive. Synimi ynë është që drejtësia të afrohet para qytetarëve me eficencë, barazi para ligjit, transparencë. Rezultatet e saj ndihmojnë në rritjen e cilësisë ligjvënëse dhe kontrollit kushtetues”, tha Begaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë