Politike

Bylykbashi: Pjesëmarrja jonë tek tryeza për Kushtetutën do të ishte farsë  

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka deklaruar arsyet se pse opozita nuk ishte e pranishme në aktivitetin e organizuar për 25 vjetorin e Kushtetutës.  

“Situata me rendin kushtetues është dramatike. Vërtetë është një 25-vjetor, por duhet parë në mënyrë kritike. Kushtetuta për shkak edhe të ndryshimeve që ka pësuar që kanë qenë jo të balancuara, mënyra se si Rama ka brutalizuar Kushtetutën vitet e fundit ka bërë që kjo e fundit të jetë gjithnjë e më pak relevante për qeverisjen e shqiptarëve.

Nëse ajo duhet të jetë baza për funksionimin e shtetit, ne e dimë që nuk është kështu më. Kryeministri e ka kthyer qeverisjen në qeverisje kryeministrore, parlamenti nuk është më përfaqësues i vullnetit të sovranit.

Tashmë gjithnjë e më shumë qeveria po preferon të ecë me akte normative duke bërë marrëveshje si ajo e emigrantëve që fillimisht u tha që nuk do vinte në parlament. Nuk mund të ishim farsë në një proces të tillë...”, tha ai

Bylykbashi nënvizoi se, Rama nuk mund t’i mohojë të drejtat kushtetuese të opozitës siç janë komisionet hetimore.

“Ndërkombëtarët u shprehën po ashtu se komisionet janë mjet kontrollues i opozitës dhe i duhen garantuar opozitës. Të gjitha çështjet që ne kërkojmë të hetohen janë me interes publik pasi hetojnë abuzimin me fondet publike të shqiptarëve”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë