Ne rrjet

Emigrantët në qëndër të samitit të BE-së

Emigracioni dhe mbrojtja janë dy nga temat kyçe që po diskutohen në samitin e BE-së, ndërkohë që kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë thirrje që udhëheqësit e Evropës të punojnë së bashku për gjetjen e një zgjidhjeje për emigrantët. "Evropa ka shumë sfida, por emigracioni mund të bëhet një moment përcaktues për Bashkimin Evropian," tha kancelarja gjermane në një fjalim në Berlin.

Edhe pse ishte përfolur vazhdimisht se kryefjaja e samitit do të ishte zgjerimi dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor, refugjatët duket se janë kthyer në rendin e ditës, ndërkohë që përfaqësuesit europianë po diskutojnë si mund të pranojnë emigrantët pa dokumente, të cilët vazhdojnë të rrezikojnë jetën e tyre në Mesdhe, duke shpresuar që të fillojnë një jetë të re në BE. Zonja Merkel është vënë nën presion nga partneri i saj qeveritar për të arritur një marrëveshje mbi parandalimin e refugjatëve këtë fundjavë. Ministri i Brendshëm Horst Seehofer ka kërcënuar se do të largojë emigrantët nga kufiri gjerman.

Flukset e emigrantëve përfshijnë gjithashtu edhe refugjatët që ikin nga lufta siriane dhe konfliktet e tjera, të cilaët kanë nevojë urgjente për azil. Kjo krizë nuk krahasohet me atë të vitit 2015, kur mijëra njerëz vërshuan çdo ditë në ishujt grekë, por tensionet mbi anijet me emigrantë, që u ndaluan të hynin në portet italiane, e vendosën këtë çështjë sërish në qendër të BE-së. Liderët europianë pritet të diskutojnë gjithashtu mbi parimin e Dublinit, një marrëveshje që nënkupton se emigrantët duhet të marrin azil në vendin që hyjnë për hërë të parë. Italia dhe Greqia janë vendet me të prekura nga kriza e refugjatëve.

Presion ndaj udhëheqësve të BE-së

Qeveria e re populiste e Italisë ka kërkuar prej kohësh arritjen e një marrëveshjeje mbi emigracionin. Kriza e refugjatëve luajti një rol të madh në zgjedhjet italiane, duke bërë që udhëheqësi i Lega Nord, Matteo Salvini, të ngjitej në pushtet. Por kjo është gjithashtu një çështje e fuqishme zgjedhore në mbarë BE-në. Qeveria austriake merr presidencën e radhës në BE, muajin e ardhshëm. Ajo ka një qëndrim të ashpër ndaj emigrantëve të paligjshëm. Austria nuk është e vetme sepse edhe fqinjët e Grupit të Vishegradit, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria dhe Polonia, ndajnë të njëjtin mendim. Ky grup kundërshtoi skemën e BE-së për të zhvendosur 160,000 refugjatë nga kampet e mbipopulluara në Greqi dhe Itali.

Italia është destinacioni kryesor për emigrantët të shpëtuar nga anijet e mbingarkuara jashtë Libisë. Por pjesa më e madhe e vëmendjes është për momentin tek kancelarja gjermane, sepse ministri i saj i brendshëm ka kërcënuar të bllokoje emigrantët në kufi nëse ata janë regjistruar tashmë në një vend tjetër të BE-së. Pa partinë e tij, CSU-në, Merkel do të humbiste shumicën parlamentare. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, paralajmëroi se problemet e BE me politikën e emigracionit po u jepnin municion populistëve, të cilët "ofrojnë përgjigje të thjeshta për pyetjet më të komplikuara".

Cila është zgjidhja?

Qeveria austriake synon të ndalojë bandat e trafikimit të qënieve njerëzore, pasi kjo shihet si një mënyrë për të shpejtuar përpunimin e kërkesave të azilit dhe ndalimin e emigrantëve të paligjshëm ekonomik. Greqia nga ana tjetër thotë se BE-ja duhet të ndërhyjë në mënyrë emergjente për të përmirësuar gjendjen e refugjatëve që janë strehuar në ishujt e saj. BE-ja duhet të forcojë gjithashtu edhe agjencinë kufitare Frontex, për ta bërë atë një forcë të vërtetë policore. Sipas Komisionit Evropian, Frontex pritet te ketë 10.000 policë, deri në vitin 2027.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë