Histori

15 korrik 1915, beteja e fundit e Çerçiz Topullit

15 korrik 1915, i lidhur me zinxhirë në këmbë e duar, Çerçiz Topulli humb betejën e tij të fundit, vrarë nga ushtarët malazezë.

Çerçizi i lindur në 1880 në qytetin e Gjirokastrës ishte stërvitur me ushtrinë turke për të luftuar më vonë kundër tyre. Ai ishte komandant në Luftën e Mashkullorës kundër Perandorisë Osmane në vitin 1905.

Çerçizi ishte pjesë e Lëvizjes Kaçake kundër pushtuesve të huaj në Shqipëri dhe nuk kishte humbur asnjë betejë gjatë jetës së tij.

Me fitoren e Revolucionit Xhonturk në vitin 1908, Çerçizi u angazhua të hapte shkolla shqipe në zonën e Jugut. Pas shpalljes së Pavarësisë ai u vu në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit dhe luftoi me kryengritje të armatosur kundër grekëve dhe kundër lëvizjes së Haxhi Qamilit në Durrës.

Në vitin 1914, Çerçizi bashkë me publicistin Mustafa Qulli, shkuan në Shkodër të luftonin kundër trupave serbo-malazeze.

Arrestohen për të parën herë në 28 qershor dhe lirohen shumë shpejt. Por arrestohen sërish në 7 korrik 1915 në Fushën e Shtoit (Shkodër) nga një togë malazeze rrugës për në Çetinë. 15 ditë më vonë, Çerçizi dhe Qulli u vranë edhe pse duke luftuar.

Eshtrat e tyre nuk gjetën varr për 20 vite. Në vitin 1936, u gjetën nga Javer Hrushidi, shok fëmijërie i dy heronjve dhe në atë kohë Prefekt i Shkodrës, i cili i njohu eshtrat nga një dhëmb i florinjtë që e kishin pasur të dy ata.

“E ju, o ju Hije madhore të Çerçiz Topullit e të Mustafa Qullit, nisnju kah vendet jueja tue ngjallun nëpër të gjitha buzët nji kangë shprese. Zgjoni në kalim zemrat e fjetuna; fuqizoni shpirtrat e ligshtuem. Shka kërkon djalëria prej Shqypnis? Drejtësi të plotë shoqnore. O ti, Çerçiz, o ti Mustafa Qulli, që ma t’kuq e batë flamurin tonë me gjakun e pastër t’uj, shpallnja djalëris se përparimi më i drejtë se drejtësia ma e plotë shoqnore mund t’arrihen n’emën të Shqypnisë”, ishin fjalët që Ernest Koliqi tha gjatë ceremonisë së rivarrimit të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë