Ngjarje

14 shtator, 2 dekada nga grushti i shtetit

Në shtator të 1998, Fatos Nano kishte pak më shumë se një vit që kishte marrë detyrën e Kryeministrit dhe kontrolli i territorit nga qeveria e re nuk shkonte më larg se Tirana, madje as në kryeqytet nuk ishte i plotë.

Kishte kaluar një vit edhe nga trazirat e 1997 dhe në duart e qytetarëve ndodheshin me mijëra armë të kalibrave të ndryshme, nga pistoletat e deri tek predhat antitank e granata-hedhës.

Përpjekjet e qeverisë Nano për të normalizuar situatën ishin të vakëta dhe atyre nuk u ndihmonte as qëndrimi i opozitës së asaj periudhe, që zgjedhjet e vitit 1997 i cilësonte të manipuluara dhe të organizuara nën pushtetin e bandave.

Më 12 shtator të 1998, para selisë së Partisë Demokratike ekzekutohet Azem Hajdari. Për një pjesë të madhe të shqiptarëve ai ishte simboli i rrëzimit të regjimit komunist dhe vrasja e tij shkaktoi protesta e nervozizëm mes opozitarëve.

Policia e Shtetit në atë kohë ishte në fazat e para të ringritjes pas kapitullimit të 1997 dhe zbardhja e autorëve të vrasjes së Azem Hajdarit për të ishte një mision i pamundur. Por, nga Partia Demokratike fajtorët ishin të qartë.

“Fatos Nano e vrau!”, deklaronte Sali Berisha në ceremoninë e përcjelljes së tij për në banesën e fundit.

Deklarata nxiti turmat e armatosura dhe kortezhi me arkëmortin e Azem Hajdarit u zhvendos para Kryeministrisë dhe jo në drejtim të varrezave të Sharrës, ku do të kryhej varrimi, ndërsa vetë Berisha iu drejtua selisë së Partisë Demokratike në 14 shtator 1998.

Protestuesit me arkemortin e Azem Hajdarit para godines se Kryeministrise

Këtu situata u përshkallëzua. Turma bërtiste “Vdekje Fatos Nanos” dhe menjëherë njerëz të armatosur nisën të qëllojnë në drejtim të godinës me armë dhe granata.

Shënjestra e tyre ishte Fatos Nano, por brenda në godinë ndodheshin vetëm punonjës të tjerë të Qeverisë dhe disa ministra, por jo Kryeministri i tyre, që ishte larguar fill pas vrasjes së Azem Hajdarit për në Maqedoni.

Brenda pak orëve policia kapitulloi dhe mbrojtja e fundit e godinës së Qeverisë ishte Garda e Republikës. Kjo e fundit, në përpjekje për të shpërndarë turmën e revoltuar dhe të armatosur nxorri në bulevard tanket. Por, tanket u morën shpejt nën kontroll nga vetë protestuesit, që më pas u futen deri në katin e parë të godinës së Kryeministrisë, por nuk depërtuan dot më tej.

U tërhoqen prej andej, por jo nga rebelimi. Në shënjestër ishte godina e Radiotelevizionit Shqiptar. Marrja e këtij institucioni ishte një lojë për protestuesit, që u futën në zyrat e tij dhe deklaruan prej andej se “qeveria Nano kishte rënë”. Pas RTSH-së, protestuesit sulmuan edhe godinën e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bankën e Shqipërisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme.

Pas orësh të gjata trazirash, që për pak e rikthyen në Shqipëri 1997, situata u qetësua. Nga deklaratat e mëvonshme u mësua se protestuesit e Partisë Demokratike u tërhoqën nga tentativa për grusht shteti falë presionit të ndërkombëtarëve.

Në kryeqytet nisi të vendosej ngadalë rendi dhe siguria e brishtë.

https://www.youtube.com/watch?v=pKNTWm_RNfY
Pamje te Associatet Press nga trazirat e 14 shtatorit 1998

Më 18 shtator u mblodh Parlamenti, i cili mes të tjerave diskutoi edhe kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Sali Berishës, që e akuzonte si organizator të grushtit të shtetit. Bashkë me Sali Berishën kërkohej heqja e imunitetit edhe për disa deputetë të tjerë të PD-së, por në fund u vendos që ai t’i hiqej vetëm Berishës.

Në këtë seancë pati qëndrime të forta të mazhorancës së atëhershme kundër Kryeministrit Fatos Nano. Deputetët socialistë kërkuan që ai të raportonte në Kuvend se ku ndodhej 3 ditë pas 14 shtatorit.

Protestuesit ja dolën mbanë që të largojnë Fatos Nanon, që dha dorëheqjen pak ditë më vonë edhe për shkak të presionit të brendshëm nga partia e tij. Në krye të qeverisë erdhi Pandeli Majko, qeveria e të cilit u përball me krizën e shqiptarëve të dëbuar nga Kosova nga makineria e luftës së Sllobodan Millosheviçit.

Ndërkohë, hetimet për Sali Berishën rrodhën ngadalë deri sa u pushuan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë