Sport

10 atletë rusë me flamur neutral në Olimpiadë

Federata Ndërkombëtare e Atletikës konfirmoi se deri në 10 atletë rusë do të lejohen të garojnë nën flamurin olimpik dhe jo atë rus në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, eventi më i madh olimpik që zhvillohet këtë verë në Japoni. Rusia është pezulluar që prej vitit 2015 nga të gjitha eventet sportive të atletikës, për shkak të skandalit doping. Kështu, pas “Rio 2016” Rusia do të mungojë edhe në “Tokyo 2020”.

Gjithsesi, Federata Ndërkombëtare e Atletikës bëri me dije se të gjithë atletët rusë që do të garojnë në flamurin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në këtë event duhet të plotësojnë të gjitha kushtet antidoping për të marrë pjesë. Në botërorin 2019 të atletikës garuan si neutralë 29 atletë rusë, duke fituar 2 medalje të arta, 3 të argjendta dhe 1 bronzi.

Olimpiada, që u shty me një vit për shkak të pandemisë, do të zhvillohet pa praninë e spektatorëve të huaj, ndërsa ata japonezë do të jenë të limituar. Sipas organizatorëve, kjo nuk do të ndikojë në rezultatet e sportistëve, por specialistë botërorë pohojnë se do të ketë pak rekorde, pasi shumica e sportistëve kanë zhvilluar gara normale.

Rusia gjithashtu është e ndaluar të aplikojë për të organizuar ngjarje të mëdha ndërkombëtare për sa kohë që është e përjashtuar. E ngjarjet e mëdha që do të mbaheshin në Rusi duhet të ndryshojnë vendin, “përveç nëse është e pamundur ta bësh këtë.” Vendimi lejon gjithashtu praninë e Vladimir Putin dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë ruse në ngjarjet kryesore në të cilat Rusia është e ndaluar, për sa kohë që krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve pritëse i ftojnë ata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë