Menaxhim

1 mld euro dëm ekonomik, qeveria ndryshon ligjin e menaxhimit financiar

Nga Gazeta 'SI' - Auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe dëmi ekonomik në rritje, ka nxitur Ministrinë e Financave të ndryshojë ligjin “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, me qëllim reduktimin e shkeljeve, keqmenaxhimit të financave dhe rritjes së transparencës.

“Bazuar në vlerësimet e vazhdueshme të sistemit të kontrollit të brendshëm, evidentohet se problematikat vijnë kryesisht si pasojë e mosangazhimit të duhur të stafit si dhe nivelit të ulët të ndërgjegjësimit të menaxherëve në njësitë publike. Gjithashtu, shpeshherë strukturat e këtyre njësive publike nuk janë të mjaftueshme për realizimin me sukses të aktiviteteve dhe implementimit të një sistemi efektiv të menaxhimit financiar dhe kontrollit”, -thuhet në draftligjin që do të shqyrtohet nga komisionet ndërparlamentare.

Në fokus të këtij ligji janë shoqëritë tregtare, të cilat zotërohen, kontrollohen, financohen ose garantohen financiarisht nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, si p.sh ato të energjisë, ujësjellësve etj, të cilat do të përballen dhe me disa masa disiplinore sanksionuese të cilësuara si "rast i rënd i mosfunksionimit të menaxhimit financiar."

Sipas draftit, titullarët e njësive të qeverisjes së përgjithshme do të jenë të detyruar të caktojnë një nënpunës autorizues, për efekt të menaxhimit financiar dhe kontrollit, cakton si nëpunës autorizues të nivelit të dytë drejtuesit e programeve e nënprogrameve të çdo strukture dhe njësie të varësisë direkte, për të cilat identifikohet buxhet i veçantë.

Njësitë publike miratojnë planet e menaxhimit për trajtimin e risqeve, të cilat përditësohen çdo tre vjet ose sa herë që ka ndryshime thelbësore të mjedisit të riskut. Nëpunësi autorizues analizon dhe përditëson kontrollet që synojnë minimizimin e riskut, të paktën një herë në vit. Nëse vërehen shkelje, duhet të raportohen menjëherë.

Drejtoria e Harmonizimit për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin pranë ministrisë së Financave, do të ketë përgjegjësinë kryesore dhe funksione të shtuara sipas ndryshimeve të reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë