Luka Modriç i ka dhënë fund dominimit të Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos të hënën e 3 dhjetorit, kur fitoi çmimin prestigjioz “Topi i Artë 2018”. Kandidat për këtë trofe ishte edhe mbrojtësi i Realit dhe Francës, Rafael Varane, i cili në moshë të re ka fituar gjithçka. Por kandidatura e tij solli shumë diskutime, edhe pse këtë vit francezi është shpallur kampion bote dhe ka fituar edhe Championsin. Ka pasur shumë nga ata që mendonin se Varane i ka “vjedhur” vendin dikujt tjetër, që e ka merituar më shumë të jetë ndër kandidatët kryesorë.
Në të kaluarën ka ndodhur disa herë që një lojtar ta ketë fituar “Topin e Artë” mes polemikash dhe kritikash nga ata që do t’ia jepnin këtë trofe dikujt tjetër. Më poshtë po sjellim gjashtë raste, kur fituesi i çmimit prestigjioz është kontestuar jo pak.

1.Matias Samer (1996)
I pari “Top i Artë” në histori që i është dhënë një mbrojtësi. Në vitin 1996 e ka fituar këtë çmim mbrojtësi gjerman i Borusias së Dortmundit, Matias Samer. Vlerësimi për të ka sjellë shumë polemika, sidomos në Itali, sepse Alesandro Del Piero doli në vend të katërt. Lojtari i Juventusit fitoi atë vit Championsin dhe Kupën Interkontinentale, ku ishte protagonist absolut. Samer fitoi Europianin, por nuk ishte ndër mbrojtësit më të mirë të botës, edhe pse u ngjit në majën më të lartë të podit, me 3 vota më shumë se Ronaldo “Fenomeni” dhe Alan Shirer.

2.Pavel Nedved (2003)
Në vitin 2003, emri që doli nga zarfi i fituesit ishte ai i çekut Pavel Nedved. Mesfushori kishte bërë një paraqitje të shkëlqyer në Champions League, pavarësisht mungesës në finalen e humbur me Milanin. Dy kuqezinj ishin shumë afër fitores: Paolo Maldini, fitues i Championsit të katërt në karrierë, që zuri vendin e tretë, dhe sulmuesi Andrij Shevçenko, që u rendit i katërti. Vendin e dytë e zuri Tierri Henri, që realizoi 42 gola dhe dha 26 asiste në gjithë vitin. Numra impresionues, para se të niste epoka “Mesi-Ronaldo”.

3.Fabio Kanavaro (2006)
Fitimi i Botërorit nga Italia në vitin 2006 i lejoi mbrojtësit Fabio Kanavaro të fitonte “Topin e Artë”. Ai u rendit para shokut të skuadrës, Xhanluixhi Bufon, protagonist i një Botërori perfekt, pasi nuk pësoi asnjë gol nga aksionet e kundërshtarit në shtatë ndeshje. I treti u rendit Tierri Henri, francezi që e çoi Arsenalin një hap larg Championsit, por humbi në finalen e Berlinit, për shkak të goditjes së famshme me kokë të Zidanit dhe fatit të keq të Trezege, i cili u ndal nga traversa në gjuajtjet e penalltive.

4.Lionel Mesi (2010)
Të fitosh një kompeticion madhor është një nga arsyet kryesore për të merituar çmimin e “France Football”. Kjo shpjegon fitoren e Lionel Mesit në vitin 2010, kur argjentinasi doli para shokëve të skuadrës, Andres Injiesta dhe Ksavi, që fituan Botërorin me Spanjën në Afrikëne Jugut. Për më tepër, “Don Andres” shënoi golin vendimtar në finale. Në Itali polemikat më të mëdha erdhën nga populli interist, që priste të shihte të vlerësohej njëri nga protagonistët e tripletës. Uesli Shneider u rendit i katërti, edhe pse ishte edhe finalist i Botërorit 2010. Kurse Diego Milito nuk ishte as në listën 23 kandidatëve të “France Football”.
5.Lionel Mesi (2012)
Dominimi absolut i dyshes Mesi-Ronaldo krijoi shumë zhurmë mediatike në disa raste, i pari në vitin 2012. Në këtë vit u vlerësua si më i miri argjentinasi, fitues për të katërtën herë i çmimit, falë rekordit të golave, ku ai kaloi edhe Gerd Mylerin. Por dilema ishte sërish e njëjtë me dy vite më parë: pse nuk u vlerësua edhe këtë radhë Injiesta, pas fitimit të Europianit 2012? Publiku përmendi në sallë emrin e Injiestës, por edhe të Kristiano Ronaldos, që kishte bërë një sezon më të mirë se “pleshti” në kampionat, duke fituar edhe titullin me Realin e Madridit.

6.Kristiano Ronaldo (2013)
Portugezi u “hakmorr” një vit më pas, kur fitoi “Topin e Artë” para syve të Lionel Mesit. Pak pikë diferencë për të kaluar argjentinasin i mjaftuan Ronaldos për të fituar për herë të dytë këtë trofe personal. Por diskutimet ishin të shumta sërish, pasi çmimi mund t’i jepej francezit Frenk Riberi, pika e referimit të Bajernit të Mynihut në fitimin e Championsit 2012-2013. Riberi u rendit i treti, duke humbur mundësinë për të thyer hegjemoninë e dyshes Mesi-Ronaldo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje