Komunitet

Një milion njerëz jetojnë në bunkerë

National Geographic - Në fund të viteve ’60 dhe ’70, duke i paraprirë shkatërrimit të një sulmi bërthamor të Luftës së Ftohtë, udhëheqësi Mao i urdhëroi qytetet kineze të ndërtonin apartamente,  me strehime për bombardime,  të afta për t’i rezistuar shpërthimit të një bombe bërthamore. Vetëm në Pekin, u ndërtuan afro 10 mijë bunkerë. Por, kur Kina hapi portën për një botë më të gjerë,  në fillim të viteve ’80, departamenti i mbrojtjessë Pekinit pa mundësinë t’i jepte me qira strehëzat për pronarët privatë, duke  përfituar nga shndërrimi i tyre në njësi të vogla banese. Tani, kur bie nata, më shumë se një milion njerëz – pjesa më e madhe punëtorë emigrantë dhe studentë nga zonat rurale – zhduken nga rrugët e zhurmshme të Pekinit në universin e nëndheshëm, pak i njohur për botën lart.

Imagjepsur nga fenomeni, fotografi italian Antonio Faccilongo mbërriti në Pekin për ta dokumentuar këtë, në dhjetor të 2015-ës. Megjithëse bunkerët nuk është e vështirë të gjenden – ata janë të lokalizuar virtualisht në të gjitha anët e qytetit – hyrja drejt tyre  doli të ishte e vështirë. Kudo ku Faccilongo shkonte, një rojë i lagjes do ta largonte, duke i cituar ligjin që i ndalonte të huajt të hynin në këto streha refugjatësh. I  habitur, ai plotësoi një kërkesë zyrtare tek qeverisja vendore, e cila iu refuzua. Më në fund, Faccilongo, u përvodh kur rojat ishin gjatë pushimit të drekës. Por, edhe pasi mundi të përftojë leje hyrjeje, ai i pa shumë prej banorëve të shqetësuar, hera-herës të sikletosur, që po fotografoheshin.

“Takova afro 150 njerëz dhe vetëm 50 mëdhanë leje t’i fotografoja”, ka thënë Faccilongo. “Disa kishin frikë, sepse u kishin thënë familjarëve –në vendlindjet e tyre – se kishin punë të mira dhe se jetonin në apartamente komodë”. Kushtet e jetesës në bunkerë janë vërtet të ashpra. Megjithëse janë ndërtuar me elektricitet, sistem hidraulik dhe të ujërave të zeza, për të strehuar njerëzit për muaj të tërë në kohë lufte apo sulmesh bërthamore, mungesa e ajrimit të përshtatshëm e bën ajrin të rëndë dhe të lagësht. Banorët ndajnë kuzhina dhe sallone që shpesh janë të vogla dhe jo higjienike. Ligjet vendase kërkojnë një hapësirë minimale për jetesë prej katër metrash katrorë për kokë, që, në shumë raste, shpërfillet. Një nga fotografitë e Faccilongo-s shfaq katërvjeçarin Jing Jing, që jeton me të gjyshen, të atindhe një vëlla më të vogël,  në një dhomë aq të ngushtë sa mund të nxërë vetëm një shtrat. Shtëpia e tyre është pranë një hapësire më të madhe, e përdorur si vend parkimi për motoçikleta. “Ky është një nga vendet më të varfra që kam vizituar”, thotë Faccilongo.

Më 2010-ën, ndeshur me neglizhencën e pronarëve dhe rreziqet e sigurisë, Pekini i ndaloi strehat bërthamore dhe hapësirat e tjera të magazinimit për përdorim rezidencial, por përpjekjet për pastrim kanë qenë të vështira dhe të pafrytshme, deri tani. Arsyeja kryesore – banorët e bunkerëve nuk kanë ku shkojnë. Gjatë dekadave të shkuara, Pekini ka dëshmuar rritje marramendëse të çmimeve të banesave. Mesatarisht, një metër katror e një prone të patundshme për banim kushton 5 mijë e 820 dollarë , duke e bërë qytetin e tretë më të kushtueshëm, për të jetuar. Por pavarësisht kësaj,  miliona njerëz kanë emigruar nga zonat rurale drejt kryeqytetit, në kërkim të mundësive më të mira. Por Hukou, një sistem i vjetrua rregjistrimi, i lidh përfitimet e mirëqenies së individit me vendin e tyre të origjinës. Dhe me akses të kufizuar ndaj strehimit të përballueshëm publik, bunkerët bërthamorë janë një nga mundësitë më të përballueshme  për punëtorët emigrantë. Faccilongo thotë se një njësi e vogël mund të kushtojë afro 40 dollarë në muaj dhe dhomat më të mëdha, në stil konviktesh, në gjendje të strehojnë deri në dhjetë njerëz, mund të përballohen me më pak se 20 dollarë në muaj.

Shumë nga banorët janë të rinj aspirantë, që besojnë se banesat e nëndheshme janë thjesht një fazë kalimtare e jetës së tyre, derisa të kenë fituar mjetet financiare për një dhomë me dritare dhe dritë dielli. Një tjetër fenomen i viteve të fundit kanë qenë organizata që kanë shndërruar strehat e zbrazëta në qendra komunitare. Faccilongo ka parë hapësira të kthyera në dhoma ngrënieje, një dhomë bilardoje, një karioke dhe një shkollë bukurshkrimi. Këto qendra u sigurojnë banorëve që jetojnë në xhunglën e betontë të Pekinit, një mundësi për t’u përzier me shtresat e tjera shoqërore që janë në një farë mënyre të ngurta dhe pozante. Ose siç e mendon Faccilongo, bunkerët janë bërë një forcë unifikuese në shoqëri ku “të pasurit dhe të varfrit”, gjejnë shtëpi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë