Futboll

Zyrtare, Real Madrid shkarkon Lopetegui, pritet trajneri i ri

Ashtu siç pritej prej ditës së diele, Real Madrid ka shkarkuar trajnerin Julen Lopetegui. Në orët e vona të së hënës klubi madrilen ka dalë me njoftimin zyrtar, ku bëri me dije ndërprerjen e bashkëpunimit me teknikun 52-vjeçar.

“Pas mbledhjes së bordit të drejtorëve më datë 29 tetor është rënë dakord që të mbyllet kontrata me trajnerin Julen Lopetegui. Vendimi vjen, duke marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë në bazë të dinamikës së ndryshimeve në ekipin e parë të Real Madrid në këto tre muaj. Por gjithashtu vjen për shkak të pritshmërive që klubi ka për objektivat sezonal.”- shkruhet ndër të tjera në komunikatën zyrtare të shpërndarë nga klubi madrilen.

Mediet spanjolle e kishin paralajmëruar shkarkimin e Lopetegui që pas disfatës me Barcelonën në “El Clasico” dhe largimi i 52-vjeçarit nuk zgjati më shumë se një ditë.

Kandidatët për të drejtuar Real Madrid

Që prej dy javësh, gazetat spanjolle duke qenë të sigurta për largimin e Lopetegui, kanë qenë të mbushura me emrat e trajnerëve që mund të ulën në stolin e “Los Blancos”. Kanë qenë shumë teknikët e përfolur, duke filluar që nga Venger, Gutti, Lëv, Poketino, Solari e deri tek Konte. Por për asnjërin prej tyre nuk ka ende ndonjë konfirmim. Sipas disa prej gazetave më të njohura në Spanjë, në 24 orët e fundit emri që ka marrë më shumë pikë për të marrë drejtimin e Real Madrid është Santiago Solari. Argjentinasi prej më shumë se një viti është në drejtimin e ekipit të dytë të Real Madrid dhe pëlqehet shumë nga presidenti Perez dhe tifozët. Duket se është sfumuar kandidatura e Antonio Konte në stolin e “Los Blancos” edhe pse tekniku italian zgjidhi kontratën me Chelsea disa ditë më parë, që u pa si një sinjal i qartë afrimi me klubi madrilen.

 

Më Shumë