Analize

“Zonja e Hekurt” nga Ballkani do të hetojë fuqitë europiane

Bashkimi Europian nuk ka pasur kurrë një prokurore të lartë dhe tani kandidatja parë për këtë post është një grua që njihet jo vetëm si “zonja e hekurt” e vendit të saj, Rumanisë, por edhe e mbarë Ballkanit.

Deri vitin e kaluar, Laura Codruta Kovesi ishte drejtoresha e njësisë më të fuqishme Anti-Korrupsionit në Rumani. Por tanimë 45-vjeçarja po garon për kryeprokuroren e BE-së jo vetëm kundër një avokati të përgjithshëm francez por edhe kundër vullnetit të qeverisë saj.

Si kryetare e Zyrës së re Europiane të Prokurorisë Publik (EPPO), kushdo që fiton këtë post do të ketë kompetenca të gjera për të hetuar dhe ndjekur penalisht keqpërdorimin e fondeve të BE-së dhe mashtrimin e TVSH-së midis shteteve anëtare të BE por edhe atyre si kandidate, siç pritet të jenë në qershor Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Laura Codruta Kovesi

Por si u bë Kovesi armikja më e madhe e qeverisë së saj

Nga një lojtare e talentuar basketbolli, Laura Kovesi u bë prokurore e përgjithshme në moshën 36-vjeçare. Deri në vitin 2013 ajo ishte drejtoresha e ADN-së, njësisë rumune të anti-korrupsionit dhe çoi mjaft politikanë të njohur prapa hekurave.

Gjatë pesë viteve në detyrë ajo çoi në gjyq 68 zyrtarë të nivelit të lartë, përfshirë edhe 14 ministra të qeverisë dhe 53 deputetë.

Deri në kohën kur u pushua nga puna nga Social Demokratët në pushtet, 37 prej këtyre politikanëve ishin dënuar, ndërkohë që shumica e hetimeve të tjera ishin ende në vazhdim.


Laura Codruta Kovesi

Socialdemokratët e qeverisë rumue e konsiderojnë Kovesin si armiken e tyre më të madhe, edhe pse kryeprokurorja ka ndjekur penalisht zyrtarë nga të gjitha partitë.
Pas një beteje të gjatë, qeveria ia doli ta rrëzonte nga posti korrikun e kaluar. Kovesi u akuzua për abuzim me detyrën dhe përdorimin e pajisjeve të përgjimit nga shërbimet sekrete. Të gjithë prokurorët e qarqeve u akuzuan për presion ndaj dëshmitarëve.
Ajo i hodhi poshtë hetimet si shpifje të qeverisë, por iu desh të dorëzohet dhe të largohej nga posti.

Rumunët në mbrojte të Kovesit

"Rumunët kanë besim tek unë”, tha Kovesi në shkurt të vitit 2017, ndërkohë që qindra mijëra qytetarë dolën në rrugë për të protestuar kundër përpjekjeve të qeverisë për të zbutur ligjet kundër korrupsionit. Turma të mëdha dolën në mbështetje të saj për muaj të tërë.

"Gjithnjë e më shumë njerëzit janë tanimë të gatshëm të japin deklarata lidhur me rastet e korrupsionit dhe të gjitha këto sepse qytetarët rumunë vunë re se ligji është i barabartë për të gjithë”, tha ajo. "Kështu që ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë, pa marrë parasysh nëse kemi mbështetjen e qeverisë apo jo".

Protestuesit mbanin pankarta me fotot e Kovesit, duke i kërkuar qeverisë të hapt rrugën për dënimin e zyrtarëve të korruptuar.

Javën e kaluar, qindra mbështetës u mblodhën në Bukuresht për ta mirëpritur me lule.

"Tani, kur ajo po kandidon për postin e Prokurores së Përgjithshme Europiane, njerëzit e mbështesin më shumë se kurrë. Ajo është zonja jonë e hekurt!", tha një nga qytetarët që kishte dalë për ta pritur.

Por rivali i saj kryesor për postin, prokurori i përgjithshëm i qytetit francez Reims, Jean-François Bohnert, ka marrë më shumë vota nga ambasadorët e BE-së dhe qeveria rumune ka lobuar fort për të bllokuar shanset e zonjës Kovesi.

Në anën tjetër, Kovesi ka mbështetjen e komisioneve të Parlamentit Evropian dhe mbi të gjitha, atë të popullit të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë