Ka ndodhur

Zjarret, 10 vatra aktive në vend. Në Majën e Rrunës pritet helikopteri për ndërhyrje

Në të gjithë vendin po punohet për shuarjen e 10  vatrave të zjarrit, një pjesë e të cilave janë të reja dhe një pjesë janë favorizuar në përhapje nga era e fortë.

"Një vatër e re zjarri është shfaqur, nën ndikimin e erës në Malin e Tërbunit, bashkia Pukë, ku është punuar gjatë ditës nga forcat e FA për krehjen e zonës. Përhapja e zjarrit rrezikon kurorën e qytetit të Pukës, por nuk ka rrezik për banesa. Nesër do të vijojë sërish operacioni për vënien nën kontroll të situatës," informon ministira.

Rreth 100 forca të FA-ve dhe pushtetit vendor janë duke punuar për vatrën e zjarrit në fshatin Flet, njësia administrative Blerimaj.

Nga fshati Dardhë situata është më e rrezikshme dhe po punohet nga forcat për ta izoluar. Nuk ka rrezik për banesat.

Një zjarr me përmasa të mëdha u raportua në një sipërfaqe pyjore pishe dhe shkurre, midis fshatrave Lodertune, njësia administrative Postribë dhe Mazrek, njësia administrative Guri i Zi, bashkia Shkodër.

Sakaq, vijon puna për shuarjen e zjarrit në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Lezhë.

Sipërfaqja e përshkruar deri tani është 30 Ha, ndërsa është djegur 15 Ha shkurre dhe pemë.

Vatra ka qenë aktive brenda perimetrit të përshkuar nga zjarri dhe gjatë kohës është përhapur në Veri-Lindje të fshatit Lalm të nj.ad. Kolsh, Lezhë dhe të kufirit administrativ me nj.ad.Rubik, bashkinë Mirditë, përkatësisht në afërsi të fshatit Katund i Vjetër, ku në gatishmëri është vendosur një mjet zjarrfikës i FA për ruajtjen e 4 banesave aty pranë. Vijon akoma mbështetja nga ajri dhe pas punës së ditës së sotme është arritur 60% e izolimit të vatrave.

Është përmirësuar disi situata në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, ku situata ishte përkeqësuar si pasojë e erës.

Deri më tani flakët kanë përshkuar rreth 220 ha ah, pishë, barishte e dushqe dhe djegur 140 ha kullota.

Veç forcave të FA, policisë, zjarrfikëses gjatë ditës ka punuar është helikopteri holandez, i cili ka ndihmuar në uljen e ritmit të përhapjes së zjarrit krahasuar me ditën e djeshme operacioni do të vijojë sërish nesër. Aktualisht nuk ka rrezik për banesa.

Ndërkohë, situata në Majën e Rrunës vijon të jetë problematike edhe mëngjesin e kësaj të hëne.

Komisioni i Mbrojtjes Civile në Prefekturën e Kukësit bën me dije se pavarësisht punës së bërë vatra është ende aktive. Ndërkohë pritet një helikopter për ndërhyrje.

“Situata e zjarrit të rënë në Maja e Rrunës Nj.Ad Malzi bashkia Kukës vazhdon të jetë problematike me gjithë punën e bërë nga forcat e angazhuara nga bashkia Kukës dhe forcat e DMR-së Kukës. Sot nga bashkia janë angazhuar 10 forca të MZSH-së, 6 punonjës të pyjores dhe Nj.Ad Malzi, 4 nga komuniteti dhe 15 forca të DMR-së Kukës. Në pritje per helikopter,” thuhet në njoftim.

Po ashtu një vatër e re është në fshatin Kamican, njësia administrative Zavalinë, bashkia Elbasan në pyll me pisha. Forcat e MZSH të bashkisë janë në terren dhe po punojnë për izolimin e vatrave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë