Futboll

Zhgradohen Sadiku dhe Balaj

Jemi në prag të fillimit të eventit më të ri për skuadrat kombëtare europiane, Liga e Kombeve. Kombëtarja shqiptare është në Ligën C në grup me Skocinë dhe Izraelin. Ndeshjen e parë të këtyre sfidave ekipi kuq e zi do e ketë me Izraelin në “Elbasan Arena”.

Në prag të këtij turneu të rëndësishëm, nga ky ekipi ynë mund të sigurojë një biletë për në Europianin e ardhshëm, Shqipëria duket shumë ndryshe nga ai ekip që 2 vite me parë luajti në finalet e “France Euro 2016”.

Pothuajse në të gjitha repartet kemi ndryshime, me lojtarë të rinj që kanë ardhur dhe të tjerë më të vjetër që janë larguar. Por reparti që ka pësuar ndryshimin më të madh dhe ndoshta më të çuditshmin, është sulmi. Nëse para dy vitesh do të flisnim për sulmuesit kryesorë kombëtares nuk do të kishin diskutim emrat e Armando Sadikut dhe Bekim Balaj. Shkodrani kyç në kualifikim, me gol në transfertën e Portugalisë dhe elbasanasi shënoi te vetmen rrjetë të Shqipërisë në atë europian kundër Rumanisë që na dha edhe fitoren.

Rënia e Sadikut dhe Balajt

Por ku janë sot Armando Sadiku dhe Bekim Balaj? Bekim Balaj prej disa sezonesh tashmë aktivizohet në Superligën Ruse me Akhmat Grozny. Sulmuesi shkodran nuk arritur ende që të jetë në maksimumin e tij me këtë skuadër dhe shpesh herë ka vuajtur dëmtimet e rënda, kjo formë e ka larguar gjithmonë e më shumë nga ekipi kombëtar. Në disa ndeshje nuk është grumbulluar dhe kur është thirrur nuk ka luajtur.

Balaj duke festuar golin e shënuar ndaj Portugalisë në
eliminatorret e "France Euro 2016"

Në këtë sezon Balaj është aktivizuar në të treja ndeshjet e Superligës Ruse, por pa mundur dot ta gjejë rrugën e rrjetës. Ai tashmë e ka humbur pozicionin që kishte në kombëtare. Por nuk është i vetëm, pasi prej gati një viti busullën në ekipin kuq e zi e ka humbur edhe Armando Sadiku. Sulmuesi 27-vjeçar që dy vite më parë do të ngrinte peshë zemrat e tifozëve shqiptarë me golin e tij në Europian, tashmë është duke kaluar një periudhat e tij më të errëta të karrierës së tij.

Sadiku në momentin e shënimit të golit në ndeshjen Shqipëri-Rumani në kampionatin europian "France Euro 2016"

Në fillim një formë e dobët te Legia dhe më pas e njëjta gjë edhe te Levante dhe në fillim të kampionatit një dëmtim, kanë bërë që Sadiku të zhduket pothuajse nga harta e sulmuesve që Panucci mund të përdorë. Nëse Sadiku për eliminatoret e kampionatit botëror u cilësua si sulmuesi kryesor i ekipit, tashmë vetëm dy vite me vonë dhe në moshën 27-vjeçare ai rrezikon grumbullimin në përfaqësuese.

Manaj dhe Guri dy yjet në ngritje të sulmit kuq e zi

Ajo e Sindrit Gurit, mund të quhet pa asnjë mëdyshje që është një histori si e Hirushes. Sulmuesi shkodran tre sezone më parë luante shumë pak, në kategorinë e dytë në Shqipëri ndërsa tashmë është sulmuesi kryesor i Ostende në Blegjikë. Mjaftoi një super-sezon me Kukësin vitin që shkoi dhe një lëvizje e zgjuar në merkato për ta kthyer Gurin në një element shumë të rëndësishëm për skuadrën e Panuccit. Në këto javë të para të kampionatit belg, Sindrit Guri ka shkëlqyer duke realizuar gola, por mbi të gjitha ka treguar se di të përshtatet lehtë me lojën e skuadrës së tij të re. Nëse çdo gjë shkon siç duhet me shumë siguri Gurin do e kemi titullar në ndeshjen e ardhshme të Shqipërisë përballë Izraelit.

Por, për fanellën e titullarit Guri nuk do e ketë të lehtë betejën, pasi do të ketë rival një talent të futbollit shqiptar si Rey Manaj. I formuar në klubin e njohur italian, Inter, Manaj këtë vit të fundit ka treguar shenja pjekurie dhe rizgjimi. Ai kompletoi kalimin te Albacete që mesa duket po rezulton një lëvizje e zgjuar, pasi që në javën e parë e ka gjetur rrugën e rrjetës. Manaj luajti vetëm 15 minuta në ndeshjet e fundit me Albacete, por menjëherë gjeti rrugën e rrjetës, duke treguar se është në formë dhe premton një sezon të madh. I grumbulluar rregullisht në ndeshjet e fundit nga Christiani Panucci, Manaj pritet që edhe në ndeshjet e shtatorit të jetë një nga elementët bazë të skuadrës kuq e zi.

Në këtë evolucion të sulmit kuq e zi nuk mund të përjashtohen edhe sulmuesit, Azdren Llullaku, Sokol Cikalleshi, Kristal Abazaj apo edhe Liridon Latifi që me shumë mundësi do të përpiqen për të siguruar një ftesë nga tekniku kuq e zi, por me pak shanse për të kapur një fanellë titullari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë