Futboll

Zhgënjen Vllaznia, eliminim i turpshëm nga UEFA Youth League

Ashtu si një vit më parë, Vllaznia U-19 ka dështuar keq në fazën e “play-off”-it të UEFA Youth League, apo ndryshe Champions League e të rinjve. Shkodranët 19-vjeçarë janë mundur edhe në ndeshjen e kthimit nga Astana e Kazakistanit, këtë herë në stadiumin “Loro Boriçi”. Vllaznia e të rinjve ka pësuar 4 gola, më shumë se në Kazakistan, ku pësoi 3 gola dhe për më tepër shënoi 1 gol. Ishte pikërisht ai gol, që mbante gjallë shpresat e kuqebluve për kualifikim, por në fakt ka ardhur zhgënjimi i madh.

Shpresohej se me mbështetjen e tifozëve, Vllaznia U-19 do të bënte diçka pozitive, edhe pse prej saj janë larguar disa nga lojtarët më të mirë të sezonit të fundit. Por dëshira nuk ka mjaftuar dhe skuadra e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani e ka pësuar sërish. Astana shënoi golin e avantazhit në minutën e 37-të me Zhumadilov, duke prerë çdo shpresë të shkodranëve për kualifikim. Në pjesën e dytë ishte Sagnajev që shënoi 3 gola të tjerë në portën e Vllaznisë, të fundit me penallti. Ndeshja u mbyll me humbjen e thellë të Vllaznisë, 0-4, duke bërë që rezultati i përgjithshëm të shkonte në 1-7 në favor të Astanës.

Vllaznia U-19 dhe stafi drejtues i saj

Shkodranët luajtën më mirë në pjesën e parë, deri në momentin e golit të parë të pësuar, më pas gjithçka mori fund. Trajneri Luan Zmijani i ka kritikuar ashpër të tijtë pas ndeshjes, duke theksuar se ata ishin si spektaktorë në fushë. Për të dytin vit radhazi, Vllaznia e të rinjve nuk arrin të lërë gjurmë në këtë aktivitet prestigjioz për moshat, ndërsa kualifikimi mbetet një ëndërr për skuadrën më të mirë të 19-vjeçarëve në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë