Pas asaj performance të shkëlqyer të Briken Caljas që mori tre medalje ditën e djeshme, shtangisti tjetër shqiptar që pretendonte, Daniel Godelli ka zhgënjyer totalisht. Peshëngritësi 27-vjeçar nuk ka mundur të jap asnjë rezultat në këtë kampionat Europian dhe në fund është tërhequr nga gara.
Godelli, nga i cili pritej minimalisht një medalje në këtë kampionat ka tentuar të ngrejë 160 kg në shkëputje në provën e parë, por ka dështuar. Në provën e dytë Godelli ka shtuar 1 kg në shtangë, por sërish ka dështuar, duke mos çuar dot sipër. Edhe në tentativën e tretë peshëngritësi shqiptar nuk ka mundur dot që t’i ngrejë 161 kg dhe e mbylli paraqitjen e tij në mënyrë shumë zhgënjyese, duke qenë i vetmi sportist që nuk dha asnjë rezultat. Nga këto gabime të Daniel Godellit, por edhe të disa peshëngritësve të tjerë në baterinë A ka përfituar peshëngritësi tjetër shqiptar, Erkand Qerimaj. Shtangisti shkodran që në baterinë B në drekë kishte ngritur 159 mundi të sigurojë një medalje bronzi në stilin e shkëputjes.
Ndërkohë në stilin e shtytjes Daniel Godelli nuk ka marrë pjesë, duke u tërhequr nga gara. Ndërsa për sportistin tjetër shqiptar në peshën 81 kg, Qerimaj në këtë stil nuk mundi të futej në zonën e medaljeve, por gjithsesi për të është një rezultat pozitiv marrja e medaljes së bronzit në shkëputje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.