Drejtësia

‘Zhduket’ dëshmitari, shtyhet gjyqi, Fredi Beleri përplaset me trupën gjykuese të GJKKO

Gazeta Si - Seanca gjyqësore e kësaj të mërkure për kryebashkiakun aktual të Himarës Fredi Beleri është shtyrë për shkak të mungesës së dëshmitarit Avdyl Rama, të kërkuar nga SPAK dhe avokatët mbrojtës.

Dëshmitari, sipas Prokurorisë, ndodhet jashtë vendit, ndërkohë që Policia e Shtetit pretendon të kundërtën. Mësohet se seanca e radhës për Belerin do të zhvillohet në GJKKO më 5 dhjetor në orën 15:00.

Në seancë pati përplasje mes mbrojtjes dhe gjyqtarit për dëshmitarin e munguar, ku mbrojtja thotë se është në Vlorë, ndërsa gjykata tha se nuk është gjetur.

Gjatë seancës, Fredi Beleri ka akuzuar trupën gjykuese të GJKKO-së për shkelje të Kushtetutës sa i takon marrjes së dëshmisë së dëshmitarit Arsen Rama me dyer të mbyllura.

Ai tha se duhej që seanca të ishte publike dhe shtoi se fakti që të dashurës së dëshmitarit i kanë gërvishtur makinën, nuk përbën provë që jeta e tij është në rrezik, pasi as prokuroria nuk ka marrë hapa për mbrojtjen e tij.

"Nëse do t'i rrezikohej jeta, prokuroria do ta kishte marrë në mbrojtje", tha Beleri.

Ai mes të tjerash argumentoi se një shkelje tjetër e kushtetutës është fakti që GJKKO nuk ka lejuar mbrojtjen të marrë në pyetje dëshmitarin Arsen Rama. 

Po ashtu, Fredi Beleri hoqi dorë nga pyetja si dëshmitar i kreut të PBDNJ, Vangjel Dule, në procesin ndaj tij në Gjykatën e Posaçme. Dule ishte kërkuar si dëshmitar vetëm nga mbrojtja dhe bashke me të u kërkua heqja dorë edhe nga dëshmitari Marjus Suli.

Herën e fundit, më 7 nëntor, për çështjen “Beleri” u zhvilluan dy seanca, në GJKKO dhe Gjykatën e Lartë. GJKKO i rrëzoi kryebashkiakut kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe gjithë trupës gjykuese nga shqyrtimi i dosjes.

Arsen Rama (vëllai i Avdyl Ramës) atë ditë dha një dëshmi, e cila u mbajt sekrete, kjo pasi atij i kishin dëmtuar makinën në Vlorë. Rama është personi që ka denoncuar blerjen e votave nga Beleri para zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Beleri ndodhet pas hekurave që prej 12 majit, pasi u arrestua dy ditë para zhvillimit të zgjedhjeve lokale nga të cilat doli fitues me diferencë të vogël votash, në përballjen me socialistin Jorgo Goro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë