Drejtësia

GJKKO shtyn gjyqin ndaj Fredi Belerit, kryebashkiaku i Himarës: Diskriminim politik

Gazeta Si- Gjykata e Posaçme vendosi të shtyjë seancën ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri për më datë 11 dhjetor.

Para gjykatës, Beleri e ka cilësuar procesin si diskriminim politik dhe padrejtësi, sipas të cilit duhet të marrë fund njëherë e mirë.

“Kam 7 muaj që nuk më jepet e drejta, që më kanë dhënë qytetarët e Himarës. Është diskriminim politik, ka vendime politike. Kryeministri pozicionohet e mban qëndrim para çdo seance. Humbësi i zgjedhjeve komandon bashkinë e Himarës, kjo nuk është parë në asnjë vend të botës. Humbësi të komandojë bashkinë. Do të doja që kjo çështje të merrte fund. Do e kërkoj të drejtën në gjithë gjykatat, por edhe ato ndërkombëtare", - tha Beleri.

Në përfundim të seancës, ku duhej të vendosej nëse do t'i jepej ose jo leje për t'u betuar si kryebashkiak i Himarës, avokati i Fredi Belerit, ka pohuar se këto janë pretekste nga ana e togave të zeza.

Edmond Demo në një prononcim për mediat tha se: “Ndoshta gjykata pret që të vdesë Beleri apo të vdesin ata vetë”.

Ende nuk ka një vendim nga Gjykata e Posaçme, ndërsa Beleri ka kërkuar t’i jepet leje e posaçme që të betohet si kryebashkiak i Himarës.

Ndërsa u pyet nëse do të ketë mundësi që të jepet një leje që Beleri të betohet online me “zoom”, në linjën e ironisë ai tha se të bëhet “si te Lana, me noterë”.

Avokatët thanë se janë refuzuar tre herë nga Drejtoria e Përgjithshme e burgjeve për lejen e kërkuar për betim nga Beleri. Edhe seancën e sotme e ka ndjekur vetë ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Konstantina Kamitsi.

Më herët GJKKO, e caktuar si kompetente nga Gjykata e Lartë me një vendim të 26 qershorit 2023 refuzoi kërkesën e tij për leje të posaçme.

Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, nën akuzën e shitblerjes së votave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë