Me komplimentet e Shakill O’Nill dhe një përallë e përfunduar në fushë, por jo në rrjetet sociale. Është vërtet një moment magjik për Gauthier Mvumbi, lojtarin e Kongos në hendboll, i përzgjedhur si “njeriu i ndeshjes”, edhe pse skuadra e tij humbi. Golat e tij nuk i mjaftuan Kongos për të kaluar fazën në Botërorin e Egjiptit (humbi 34-27 me Bahreinin).
Lojtari 26-vjeçar është bërë tashmë një personazh i njohur dhe ish-ylli i basketbollit amerikan e ka përgëzuar për shkathtësinë e tij, duke pasur parasysh parametrat fizikë që Mvumbi ka. “Thonë se je Shaku i hendbollit, çfarë po ndodh? Komplimente!” Janë fjalët e ish-basketbollistit të famshëm amerikan.
Gauthier Mvumbi është 195 centimetra i gjatë dhe peshon 137 kilogramë (jo 110 sa është regjistruar në sitin e federatës botërore), dhe ka shënuar 13 gola në ndeshjet ndaj Argjentinës, Danimarkës dhe Bahreinit, që të gjitha ndeshje të humbura nga Kongo, që shkoi në Botëror falë vendit të shtatë në kampionatin afrikan. Kongo është përforcuar me lojtarë franko-kongolezë, - mes të cilëve edhe Mvumbi, - që luajnë në klube të kategorive të ulëta në Francë.
Mvumbi ka lindur në vitin 1994 në Shartres të Francës nga prindër kongolezë. Ai është rritur në “Creteil Handball Academy”, ku ka luajtur me disa lojtarë që kanë shkuar në kombëtaren franceze. Në gusht firmosi me një klub të kategorisë së katërt, Dreux AC, ndërsa më pas u grumbullua nga Kongo për botërorin e parë në karrierë.
“Nuk e kisha menduar kurrë se do të përjetoja një eksperiencë të tillë, ndaj dua ta shfrytëzoj këtë rast në mënyrën më të mirë. Objektivi im është të argëtohem, duke dhënë gjithmonë më të mirën”, - është shprehur Mvumbi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.