Ne rrjet

Zgjedhjet, Serbia do të vazhdojë të kontrollojë Veriun e Kosovës

Beogradi duket se do të vazhdojë të kontrollojë Veriun e Kosovës, pasi zgjedhjet e jashtëzakonshme në Zubin Potok, Leposaviç, Zveçan dhe Mitrovicën e Veriut, kanë nxjerrë sërish fituese Listën Serbe.

Pas publikimit të rezultateve, mediat në Prishtinë bënë të ditur se katër kandidatët e Listës Serbe arritën të sigurojnë pjesën dërrmuese të votave. Sipas rezultateve në Mitrovicën e Veriut, Lista Serbe dhe kryetari i kësaj partie Goran Rakiç mori 95,2% të votave, PDK-ja me kandidaten Gonxhe Çaushi 3,1%, kurse Vetëvendosja 1,6%. Ndërkohë në Zubin Potok Lista Serbe ia doli t’i marrë 94,1% të votave, ndërsa në Leposaviç kandidati i kësaj partie, Zoran Todiç mori 96,4%. Edhe në komunën e Zveçanit Lista Serbe mori 96,4% të votave me kandidatin Vuçina Jankoviç.

Ende pa u publikuar rezultatet, Lista Serbe shpalli fitoren dhe nisi festën në veri të Mitrovicës. Rakiç telefonoi presidentin Aleksandër Vuçiç për ta njoftuar për rezultatin e zgjedhjeve.
“President, dua t’ju informoj se ne jemi këtu në shesh. Nuk po e festojmë fitoren, sepse kjo për ne ishte e pritshme. Por po kremtojmë unitetin e popullit serb dhe po festojmë lidhjet tona të forta me shtetin tonë - Serbinë”, i tha ai presidentit serb nëpërmjet telefonit.

Rakiç tha para votimit se serbët e Kosovës kanë kryer detyrën e tyre pasi ata kanë kuptuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve.

“Kemi kryer detyrën tonë si qytetarë. Siç mund ta shihni qytetarët e Mitrovicës e kanë kuptuar rëndësinë jo vetëm të këtyre zgjedhjeve lokale, por të referendumit i cili për ne që jetojmë këtu do të thotë mbijetesë dhe ekzistencë në këto hapësira”, deklaroi ai.

I pyetur nëse do të japë sërish dorëheqjen nëse Prishtina nuk heq taksën ndaj importeve serbe, kryetari i Listës Serbe tha se do të konsultohej për çdo hap me presidentin Vuçiç.

“Vendimet se si do të vazhdojmë do t’i marrim me Vuçiçin. Ne shpresuam tek mirëkuptimi i zyrtarëve në Prishtinë e veçanërisht tek presioni i bashkësisë ndërkombëtare për heqjen e taksës dhe shpresoj që pas këtyre zgjedhjeve taksa të hiqet”, theksoi ai.

Vuçiç ndërkohë uroi drejtuesit e Listës Serbe për fitoren në zgjedhjet e jashtëzakonshme duke thënë se: “Kjo është dëshmia më e mirë politike dhe e bashkimit. Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në zgjedhjet në Kosovë, në Serbinë tonë”.

Edhe pse ekspertët prisnin që pjesëmarrja të ishte më e ulët se vitin e kaluar, Komisioni Qendror Zgjedhor njoftoi se 24 mijë e 595 qytetarë (42,42%) kishin shfrytëzuar të drejtën për të votuar, nga 57 mijë banorët në komunat e Veriut. Sipas KQZ-së në zgjedhjet lokale të 22 tetorit të vitit 2017 kishin votuar 23 mijë votues .

Edhe pse procesi ishte kryesisht i qetë, mediat në Prishtinë shkruajnë se parregullsitë më të shpeshta kishin të bënin me votimin me dokumente serbe, apo vështirësitë e votuesve për ta gjetur veten në listë.

Gjithashtu, probleme pati edhe sa i përket votimit familjar, si dhe tentativave për të votuar dy herë.

Goran Rakiç

Kryetarja e KQZ-së pranoi se ka pasur raste kur persona të caktuar janë paraqitur për të votuar me dokumente serbe, por nuk janë lejuar pasi nuk kanë qenë në listën e votuesve.
Zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, gjatë së dielës tha se nuk është pranuar ndonjë informatë lidhur me ndonjë incident të mundshëm.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte i pari që ka përgëzuar partitë politike për fushatën e qetë, duke bërë thirrje për integrimin e të gjitha komuniteteve në institucionet e Kosovës. Pas tij erdhi edhe një deklaratë e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili uroi qytetarët e katër komunave veriore që dëshmuan pjekuri në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Përshëndes procesin e rregullt zgjedhor, për zgjedhjen e kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës. Në këto zgjedhje të parakohshme qytetarët dëshmuan pjekuri në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pa ndonjë incident duke votuar për kandidatët që ata besojnë se do t’u shërbejnë interesave të tyre”, deklaroi Haradinaj.

Megjithatë akuzat për parregullsitë më të mëdha duket se do të vinin nga partitë shqiptare qe u bënë pjesë e garës. Kandidatja e PDK-së në Mitrovicën e Veriut, Gonxhe Çaushi, tha se VV-ja dhe LDK-ja kanë bashkëpunuar për shitblerjen e votave.

“Ne kemi disa shqetësime dhe dyshime se ka tentativa për shitblerje votash nga LDK-ja dhe LVV-ja, të cilat janë duke tentuar që ta rrisin pjesëmarrjen e numrit të votuesve të Listës Serbe”, deklaroi ajo.

Menjëherë pas kësaj reagoi kandidati i VV-së për Mitrovicën e Veriut, Erden Atiç, duke theksuar se akuzat e PDK-së ishin shpifje. “Akuzat e PDK-së janë qesharake. Nuk ka shanse që ne të kemi bashkëpunuar me Listën Serbe për të blerë vota. Kjo është shpifja më e ulët që është bërë”, theksoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë