Ne rrjet

Zgjedhjet në Serbi / Vuçiç: Vullneti elektoral i qytetarëve do të mbrohet

Nga Gazeta 'Si'-Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u ka kërkuar falje qytetarëve të Republikës Srpska për atë që ai e konsideron si “fushatën e tmerrshme të zhvilluar kundër tyre nga një pjesë e publikut politik në Beograd”.

Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Vuçiç u shpreh se vullneti elektoral i qytetarëve do të mbrohet.

“Për herë të parë në jetën e Republikës Srpska, ju drejtohem në emër të popullit serb dhe të gjithë qytetarëve të Serbisë. Dua të kërkoj falje për fushatën e tmerrshme që po zhvillohet kundër jush, motrave dhe vëllezërve tanë, nga një pjesë e publikut politik në Beograd", theksoi ai.

Zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi janë shoqëruar me polemika të shumta.

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thanë se procesi zgjedhor në Serbi duhet të përmirësohet ndjeshëm, pasi vëzhguesit e pavarur gjetën parregullsi shqetësuese, përfshirë blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të parakohshme të së dielës.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit u bëri thirrje autoriteteve në Serbi të punojnë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve që vëzhguesit kishin identifikuar gjatë procesit zgjedhor të fundjavës.

Disa mijëra vetë protestuan të hënën me pretendimet për mashtrim në zgjedhjet për pushtetin lokal në Beograd dhe më shumë protesta janë paralajmëruar për sot.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë