Ne rrjet

Zgjedhjet në Serbi / Daçiç fut në listë Markon, djalin e Sllobodan Millosheviçit që kërkohet nga Interpol

Nga Gazeta ‘Si’- Pjesë e listës zgjedhore të Partisë Socialiste të Serbisë, e cila udhëhiqet nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, do jetë edhe Marko Millosheviç, djali i “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviç.

Në listën zgjedhore, të quajtur “Ivica Daçiç– kryeministër”, emri i Markos është vënë re krahas politikanit Dragan Markoviç Palma, kreu i Serbisë së Bashkuar.

Partia që aktualisht udhëhiqet nga Daçiç është e njëjta që në vitin 1990 ishte themeluar nga Slobodan Millosheviç.

Kreu i SPS-së, Daçiç, pas dorëzimit të listës, tha se partia e tij do të vazhdojë të bashkëpunojë me Partinë Progresive Serbe dhe se ai dhe kreu i shtetit, Aleksandar Vuçiç, para disa javësh ranë dakord që të shkojnë të ndarë në zgjedhje dhe për të krijuar një koalicion pas zgjedhor.

Në fillim të këtij muaji, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe kryetari i Parlamentit Vladimir Orliç, njoftuan për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në disa qytete dhe komuna, përfshirë në kryeqytetin serb, Beograd. Zgjedhjet do të mbahen më 17 dhjetor të këtij viti.

Por kush është Marko Millosheviç, ‘famëkeqi i viteve ‘90’, i kërkuar në listën e Interpolit?

Ndërsa Sllobodan ishte kryeministër i Serbisë, Marko “djali i tij i privilegjuar”(sot 49 vjeç) shmangu sprovën ushtarake duke u konsideruar "i papërshtatshëm" për shërbim.

Sipas mediave në Kosovë, ai përfitoi nga aksesi i babait të tij në të ardhurat shtetërore për të financuar një mënyrë jetese luksoze dhe për të krijuar një rrjet kriminal në Pozharevac.

Ai u akuzua se kishte rrahur brutalisht Radojko Lukoviç, një anëtari i Otpor-it, një organizatë politike në Serbi e cila kishte qëllim rrëzimin e regjimit të Millosheviçit.

Nga e majta në të djathtë, Radojko Lukoviç dhe Mario Millosheviç i cili u akuzua për rrahjen brutale të tij

Fotografia e fytyrës së shpërfytyruar të Radojko Lukoviçit, u bë një nga simbolet e rezistencës ndaj diktaturës së Millosheviçit.

Posteri i Lukoviç i cili lexon: Ovo je lice Srbije (kjo është fytyra e Serbisë ).

Madonna, klubi luksoz i jetës së natës për ‘elitat e Europës Juglindore’ dhe burimet e të ardhurave

Rreth vitit 1994, Markos iu ofrua një punë në drejtimin e një klubi nate të rinovuar rishtazi në Pozharevac të quajtur Madonna që kujdesej për elitat e Evropës Juglindore, duke përfshirë anëtarët e kërkuar të organizatave të organizuara kriminale serbe. 

Ai nisi të akuzohej për përfshirje në kontrabandën e mallrave të shumta nëpër Serbi, duke përfshirë cigare, naftë, makina të vjedhura dhe drogë si kokaina, për të cilën ai akuzohej se ishte përdorues.

Marko mori shpejt pronësinë e një radiostacioni, furre buke, dyqan kompjuteri, dyqan parfumesh luksoze të quajtur Scandal dhe u emërua zëvendëskryetar i një shfaqjeje kuajsh në Lubiçevë.

Burime të tjera të të ardhurave përfshinin spekulimet e monedhës dhe tregtinë midis dinarëve dhe markave gjermane dhe menaxhimin e ndërtimit të një parku tematik nacionalist serb prej 380.000 dollarë të quajtur Bambipark. Ai vishte një uniformë ushtarake gjatë menaxhimit të Bambiparkut për të treguar patriotizmin e tij gjatë bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi. 

Deri në vitin 1998, ai kishte blerë një vilë të re të gjerë në Pozharevac, kishte në pronësi dhe përplasi mbi 17 makina luksoze për të cilat ishte i apasionuar dhe kishte blerë një jaht për 500.000 marka gjermane. 

Në vitin 2000, totali i aseteve të tregut të zi të mbajtur nga Marko Millosheviç u vlerësua në 500 milion £. 

Azili politik në Moskë dhe jeta në Rusi

Pas rënies së regjimit të babait të tij më 5 tetor të vitit 2000, Marko u arratis pasi u padit me dyshimin për përfshirje në krimin e organizuar. 

Ai u largua nga Serbia dhe shkoi në Moskë sëbashku me të ëmën Mirjana Markoviç, nëpërmjet Pekinit, ku iu dha azil politik.

Që atëherë, për të ka pasur vetëm informacione të pakta, ndërsa përflitej se ai drejtonte një biznes fitimprurës në kryeqytetin rus dhe se ishte rimartuar.

Disa portale ruse shkruan gjithashtu se ai ende i ka qëndruar besnik dashurisë së tij të madhe – makinave dhe motoçikletave dhe se ka në pronësi dy motoçikleta – “Harley-Davidson” dhe “Honda CBR600F” dhe se ka edhe dy makina në garazhin e tij: “Audi A4” dhe “mitsubishi lancer”.

Për të ka një urdhër-arresti nga Interpoli në Serbi, sipas të cilat ai duhet të arrestohet nëse do të shihet ndonjëherë në vend.

Filmohet pas 20 vitesh në Rusi në qershor të këtij viti

Edhe pse në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, Marko Millosheviç, u shfaq për herë të parë në publik pas 20 vitesh, në qershor të këtij viti.

Millosheviç u filmua në Moskë gjatë një ceremonie për zbulimin e një busti të ndërtuar për të nderuar figurën e babait të tij. Ai shihet në një video të publikuar në Tëitter në shoqërinë e Aleksandër Zaldastanov, i njohur si ‘Kirurgu’, bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i Vladimir Putinit dhe lideri i grupit të njohur si "Ujqërit e natës".

Shumë nga njerëzit e pranishëm as nuk e njohën Markon, ndërsa të tjerë u shprehën se ai me kalimin e viteve gjithnjë e më shumë i ngjan të atit.

Në videon, e cila zgjat pak më pak se 50 sekonda, Zaldastanov prezanton djalin e Millosheviçit, Markon i cili më pas i drejtohet turmës duke përsëritur fjalët e babait të tij të shkruara në monument.

“Siç është shkruar këtu, ne ishim, për fat të keq, një provë e asaj që ndodhi me Rusinë dhe asaj që po ndodh tani në Ukrainë. Luftërat jugosllave janë të njëjta. Fatkeqësisht, ne e humbëm betejën, por shpresoj se nuk e humbëm luftën. Për gabimet tona dhe për fatin tonë, rusët morën një mësim dhe ne do të fitojmë! Fitore”,  tha Marko Millosheviç teksa qëndronte para flamurit serb.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë