Ne rrjet

Zgjedhjet, Kosova ndalon hyrjen e zyrtarëve serbë për të bërë fushatë

Ndërkohë që shumica e vendeve perëndimore kanë ngritur alarmin e ndërhyrjes ruse duke e akuzuar Moksën se “ka futur hundët” në zgjedhjet presidenciale në SHBA, referendumit e Brexit në Britani apo zgjedhjet në Suedi dhe një sërë vendesh të tjerë evropiane, Kosova duket se ka një problem edhe më të madh: ndërhyrjen serbe.

Qeveria në largim e kryeministrit Ramush Haradinaj ka paralajmëruar Beogradin se institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë asnjë përfaqësues shtetëror të vendeve të tjera, që të vijë në Kosovë dhe të bëjë fushatë, ndërkohë që vendi është në prag zgjedhjesh.

Këto reagime nga Prishtina vijnë pak pas paralajmërimeve të një sërë zyrtarëve të qeverisë serbe se do të vizitojnë Kosovën për të mbajtur fushata zgjedhore, ndërkohë që kjo e fundit po shkon drejt mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Ministria e Jashtme e Kosovës ka njoftuar se nuk do të japë leje për hyrjen në Kosovë për asnjë përfaqësues të vendeve të tjera, sidomos zyrtarëve, që synojnë të organizojnë fushata të mirëfillta zgjedhore në Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçic, Gazeta Si, 3 shtator 2019

“Absolutisht, asnjë përfaqësues i vendeve të tjera, nuk mund të vijë dhe të bëjë fushatë në Kosovë. Kjo është periudhë jashtëzakonisht e ndjeshme. Paralajmërimet e zyrtarëve të Qeverisë serbe se do të vijnë në Kosovë dhe të zhvillojnë fushatë zgjedhore, janë alarmante. Në fakt, për ne nuk janë të habitshme, sepse Beogradi ka tendencën e vazhdueshme për tensionimin e situatës, dhe krijimin e tensioneve të brendshme në Kosovë. Por, institucionet tona nuk do të lejojnë që procesi zgjedhor të dëmtohet”, tha Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm të Kosoës, Behgjet Pacolli.

I pyetur mbi raportet për një vizitë të mundshme të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Kosovë, gjatë javëve të ardhshme, Zyberaj ka sinjalizuar madje se Prishtina do të bllokojë edhe hyrjen e kreut serb.

“Gjatë kësaj kohe nuk do të lejohet asnjë person, i cili ka për qëllim tensionimin e situatës. Askush që ka qëllime destabilizuese, nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë”, u shpreh Zyberaj.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës janë në koordinim të plotë edhe me bashkësinë ndërkombëtare për garantimin e një proces zgjedhor të qetë në Veri të Kosovës, për t’i qytetarëve serbë të votojnë sipas vullnetit të tyre.

Veriu i Kosoves, Gazeta Si, 3 shtator 2019

Por ish-deputeti serb i Petar Miletiç, ish-anëtar i Kuvendit të Kosovës, deklaron se Beogradi, qoftë më pak ose më shumë, ka pasur gjithmonë ndikim në proceset zgjedhore në Kosovë dhe është e pashmangshme që të mos ndërhyjë edhe në zgjedhjet e ardhshme.

“Serbia nuk ka pasur asnjëherë më parë ndikim më të madh se sa tani. Është e dukshme që Lista Serbe është organizatë që ndodhet nën kontrollin e plotë të autoriteteve të Beogradit. Në çdo rast, ajo është struktura politike më dominuese e serbëve në Kosovë dhe për Beogradin është normale që shfrytëzojë të gjitha resurset që njerëzit të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për Listën Serbe”, thotë Miletiç.

Duke iu përgjigjur paralajmërimeve të autoriteteve të Kosovës se nuk do të lejojnë hyrjen e zyrtarëve serbë, gjatë kohës fushatës zgjedhor, deputeti serb thotë se këto masa nuk do të ketë shumë efekt.

Lista Serbe, e cila mandatin e kaluar ka pasur nëntë nga dhjetë deputetët që kanë përfaqësuar komunitetin serb në Kosovë dhe në zgjedhjet lokale ka fituar në dhjetë komunat me shumicë serbe në vend, vazhdon të ketë mbështetjen e Beogradit zyrtar, me ndihmën e të cilit edhe është themeluar.

Përveç këtij subjekti politik, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit tashmë është paraqitur edhe koalicioni “Liria” (Sloboda), i cili përbëhet nga dy parti politike serbe, Partia Përparimtare e Kosovës dhe Partia e Re e Kosovës.

Presidenti serb tha se Lista Serbe duhet të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë, në mënyrë që "të fitojë dhe luftojë për interesat e serbëve".Sipas tij “serbët në Kosovë e dinë mirë se kush po lufton për ta, dhe kush po i përfaqëson interesat e tyre”.

Vuçiç paralajmëroi edhe intensifikim të kontakteve të zyrtarëve serbë me udhëheqës botëror, duke thënë se ai do të takohet me 15 deri në 20 përfaqësues shtetesh, për të diskutuar situatën në Kosovë.

Disa orë pas deklaratës së Vuçiçit, autoritetet e Kosovës u kanë bërë thirrje serbëve që të zgjedhin përfaqësuesit më të mirë të interesave të tyre.

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë përmes një postimi në Tëitter, se ka koha që serbët të zgjedhin udhëheqës, e jo marioneta të Beogradit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë