Lajme

Zgjedhjet europiane, rezultatet e para goditje e rëndë për Macron dhe Tsipras

Emmanuel Macron humbet betejën kundër ekstremit të djathtë në Francë, ambjentalistët janë tanimë forca e tretë më e madhe e Parlamentit Europian, forcat euroskeptike kanë fituar terren të konsiderueshëm, ndërkohë që në Greqi kanë shpërthyer kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Aleksis Tsipras. Këto duket të jenë rezultatet e para të zgjedhjeve parlamentare të Bashkimit Europian

Të dhenat për 27 vende anëtare sugjerojnë se numri i qytetarëve që kanë dalë për të votuar është më i madh se çdo zgjedhje europiane në dy dekadat e fundit.

Një zëdhënës i Parlamentit Evropian tha se pjesëmarrja u vlerësua në 51%. Për krahasim, herën e fundit pjesëmarrja më e lartë në mbarë Europën, mbi 50%, ishte në vitin 1994. Sipas “BBC”, pjesëmarrja ka qenë më e lartë se mesatarja në shumicën e vendeve anëtare të BE.

Sipas exit poll-eve të para koalicioni i madh i Parlamentit Europian,Partitë Popullore Evropiane Qendrore (PPE) mban deri më tani 177 vende. Pas saj vjen S & D, Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve me 147 eurodeputetë dhe ALDE & R - Grupi i Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve  me 101 vende, ndërsa Ambientalistët kanë marrë 71. Pas tij vjen grupi i konservatorëve europianë (ECR), anëtarët e të cilave përfshijnë Partinë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar dhe partinë qeveritare polake me 58 vende  dhe më pas EFDD, grupi i Demokracisë dhe Lirisë me 56 vende.

Pas publikimit të rezultateve të para, kreu  opoziztës greke i kërkoi Tsipras të japë dorëheqjen menjëherë. Kyriakos Mitsotakis, kreu i Demokracisë e Re (pjesë e EPP), i ka bërë thirrje kryeministrit të majtë të vendit fqinj të japë dorëheqjen pas rezultateve të zgjedhjeve të BE që tregonë një hendek prej 9% midis dy partive.

"Populli grek nuk i beson më Tsipras [...] gjëja më e mirë që mund të bëjë është të marrë përgjegjësitë e tij dhe të japë dorëheqjen, kjo është zgjidhja e vetme e qartë," tha Mitsotakis. Por ai e bëri bëri të qartë se zgjedhjet kombëtare do të zhvillohen sipas planit, pas shtatorit.

Sipas rezultateve paraprake, konservatorët e ECR-së mund të humbasin pozicionin e tyre si forcë e tretë në Parlamentin Europian. "Grupi ynë nuk është i interesuar për shifrat dhe ne nuk do të marrim ekstremist brenda vetëm për të pasur një grup më të madh", tha një nga përfaqësesit e këtij grupi

Nga ana tjetër, megjithë humbjen e një pjese të rëndësishme të vendeve të saj, Partia Popullore Evropiane mbetet grupi më i madh në Parlamentin Europian. Ata theksuan nevojën e tyre për të përmbushur përgjegjësinë "për të ofruar stabilitet dhe zgjidhje evropiane".

Ndërsa aleanca progresive duket se ka një shumicë edhe më të madhe, duke zbehur shanseve e Frans Timmermans për t'u bërë president i Komisionit Europian.

Në Itali, pjesëmarrja e votuesve u rrit ndjeshëm, duke shkuar në 43.84. Italia ishte vendi i fundit i BE-së që mbylli qendrat e votimit në orën 23.

"Sonte unë do të shikoj ndeshjen e futbollit të Milanit me djalin tim. Do të flas kur do të dalë një rezultat zyrtar", tha zëvendëskryeministri i Italisë Matteo Salvini, pas votimit të tij.

 Ndërkohë, partia e Emmanuel Macron nuk arriti të mundte Frontin Kombëtar të Marine Le Pen. Sipas rezultateve, të Gjelbrit bëhen forca e tretë franceze në Parlamentin Europian.

"Rezultatet e këtyre zgjedhjeve evropiane konfirmojnë raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Francezët kanë zgjedhur të djathtën ekstreme dhe kjo nuk është hera e parë, por unë kurrë nuk do të jem në kampin e indiferentëve", tha Kryeministri Edouard Philippe, në një fjalim.

"Francezët kanë bërë që zëri i tyre të dëgjohet me anë të një force të papritur. Kjo tregon një shpërthim popullor kundër pushtetit të Macron. BE nuk mund të injorojë thirrjen për liri, sovranitet", tha Jordan Bardella, kandidatja kryesore e Frontit Kombëtar.

Britania dhe Holanda ishin të parat që votuan të enjten, të ndjekura nga Irlanda dhe Republika Çeke të premten, ndërsa Sllovakia, Malta e Letonia votuan të shtunën. Pjesa tjetër prej gati 400 milionë votuesish të ligjshëm duhej të shpreheshin këtë të dielë.

Në Holandë, partia e qendrës së majtë e zv.presidentit të BE-së, Frans Timmermans ka fituar shumicën e votave dhe ka rritur me dy vende përfaqësuesit e Socialistëve dhe Demokratëve në parlament, sipas “exit poll”-eve. Ndërkohë rivalët e EPP-PPE, “S&D” duket se po marrin shkas nga rezultatet paraprake që sugjerojnë se partia “Fine Gael” e kryeministrit Leo Varadkar po udhëheq në Irlandë.

Parlamenti Europian pritet të japë një rezultat paraprak duke filluar nga ora 23 e mbrëmjes së kësaj të diele.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë