Mendim

Zgjedhjet e jashtëzakonshme, a po e shtyjnë heqjen e vizave për Kosovën?

Dorëheqja e papritur e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kriza politike që ka pushtuar Prishtinën duket se do të ketë pasojat e saja në proceset e integrimit euro-atlantik të Kosovës.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka paralajmëruar së fundmi se procesi i liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian do të zvarritet edhe më tej nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Pavarësisht premtimit të vazhdueshëm për heqjen e vizave, Hoxha ka deklaruar të martën se ndërrimet në qeverisje nuk janë një ogur i mirë për proceset integruese të vendit.

“Ndërrimet në qeverisje nuk i bëjnë mirë procesit integrues, pavarësisht se detyrat, punët dhe funksionet janë të institucioneve ekzekutive dhe të stafit civil. Nuk ma merr mendja se do të shkaktohet dëm, megjithatë procesi zgjedhor në rrafshin ndërkombëtar shkakton ngecje. Proceset me interes për vendin janë më të rëndësishme se proceset e brendshme politike”, ka thënë ajo për gazetën “Zëri”.

Hoxha thekson se ende shpreson se mund të ketë një moment për heqjen e vizave, sepse sipas saj qeveria Haradinaj i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian.

“Shpresojmë të kemi një moment pozitiv për liberalizimin e vizave, i cili do të ishte rikonfirmim i angazhimit tonë gjithëpërfshirës dhe konsekuent për t’i zbatuar 95 kushtet për heqjen e tyre”, ka shtuar ajo.

Por Zëvendëskryetari i Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian, Armend Zemaj është i bindur se qeveria në largim është fajtore për dështimin e liberalizimit të vizave, si dhe për ngecjen e diplomacisë kosovare.

“Kjo Qeveri ka shkaktuar dëmin më të madh sa u përket proceseve integruese të Kosovës jo vetëm me mosmarrjen e liberalizimit, por edhe me humbjen e shumë fondeve të BE-së, të investitorëve të jashtëm, si dhe izolim të skajshëm të institucioneve të vendit tonë në raport me vendet e BE-së”, thotë deputeti i LDK-së.

Dhurata Hoxha


Ai thotë se me formimin e një qeverie të re do të rikthehej fokusi i BE-së kundrejt Kosovës, si dhe ai i lëvizjes së lirë për shqiptarët e Kosovës. “Sa më shpejt të ndodhë largimi i kësaj qeverie, aq më shpejt do të krijohet mundësia që vendet e BE-së ta kthejnë fokusin dhe të marrin vendimin e shumëpritur për lëvizjen e lirë. Sigurisht këtij vendimi duhet t’i paraprijë shembulli i një qeverisje të mirë ku do të merren masa të ashpra ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të fenomeneve negative të cilat kanë marrë hov gjatë kësaj qeverisje dyvjeçare të këtij koalicioni”, ka shtuar ai.

Edhe eskperti Demush Shasha thotë se shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme do të ketë një ndikim në heqjen e vizave për Kosovën, edhe pse ky ndikim do të jetë indirekt.
“Ndikimi i zgjedhjeve është indirekt, pasi zgjedhjet nuk bëjnë pjesë te kriteret për liberalizimin e vizave. Ajo që BE-ja kërkon nga Kosova është progresi në fushën e sundimit të ligjit, sidomos në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Sidoqoftë, natyrisht se procesi zgjedhor do të ndikojë në mënyrë indirekte në qëndrimet e vendeve anëtare sa i përket vendimmarrjes për liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.

Analisti thotë se zgjedhjet nuk janë aspekti i vetëm që mund të ndikojnë negativisht në heqjen e vizave, pasi sipas tij, pengesa kryesore e Kosovës në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave është regresi i vazhdueshëm në fushën e sundimit të ligjit.

“Tre vjet pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit, ne ende s’kemi asnjë dënim të profilit të lartë për korrupsion. Institucionet duhet të ndalojnë presionin politik mbi sistemin e drejtësisë dhe të mundësojnë garantimin e një mjedisi transparent të sistemit drejtësisë, i cili bazohet në punën e profesionistëve të pavarur dhe me integritet publik”, ka thënë Shasha.

Sipas Shashës, gjasat që heqja e vizave për Kosovën të ndodhë gjatë këtij viti janë minimale dhe rrjedhimisht ky proces mund të shtyhet deri në vitin 2020.

Ramush Haradinaj dhe kancelarja Merkel

“Në vend të lotimit, institucionet e Kosovës duhet të vendosin vëmendjen tek ajo që po kërkojnë vendet si Franca, Holanda dhe Finlanda. Kjo është arritja e rezultateve në fushën e sundimit të ligjit dhe të luftimit të korrupsionit të nivelit të lartë. Prandaj gjasat janë pothuajse zero që institucionet e BE-së të marrin vendim pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave deri në fund të këtij viti. Gjasat janë se i gjithë procesi do të shtyhet për vitin 2020”, ka thënë ai.
Vetë Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha është shprehur tejet e zhgënjyer me Bashkimin Evropian, duke thënë se ishte në pritje të një datë konkrete për heqjen e regjimit të vizave.

Ajo ka konfirmuar se disa shtete të BE-së, kanë dalë haptazi kundër liberalizimit të vizave. Madje ajo përmend edhe Gjermaninë, e cila sipas saj nuk po ndërmerr asnjë për t’i bindur vendet tjera që të votojnë për heqjen e vizave për Kosovën.

“Tani po shohim një hezitim nga disa shtete anëtare siç është Franca, Holanda, deri diku edhe Gjermania nuk ka një mendim të qartë, pavarësisht faktit që ministri i Brendshëm i ka thënë ‘po’ liberalizimit të vizave për Kosovën, mirëpo në anën tjetër në takimin e Këshillit të Ministrave të Punëve të Brendshme, i cili u mbajt me 6 dhe 7 qershor, nuk u diskutua asgjë për Kosovën. Pra as Gjermani dhe asnjëra nga këto shtete nuk e hapi temën e liberalizimit të vizave. Kjo na bënë të kuptojmë se pa u arritur një konsensus mes anëtarëve të BE-së nuk do të kemi një vendim në Këshillin e Ministrave. Shpresoj që ky vendim të merret sa më shpejt, mirëpo procesi është në duar të shteteve anëtare”, deklaron ministrja Hoxha.

Burime nga qeveria Haradinaj konfirmuan disa javë më parë për Gazetën “Si” se kancelaria Merkel e kishte thirrur kryeministrin e Kosovës për t’i kërkuar edhe njëherë heqjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. Sipas zyrtarëve Merkel është zotuar të çojte përpara procesin e liberalizimit, duke e bërë të mundur heqjen e vizave për shqiptarët e Kosovës muajt e ardhshëm. Por duke qënë se Ramush Haradinaj nuk është tërhequr nhga ky vendim, Berlini zyrtar duket të mos i këtë bërë presion vendeve të tjera për heqjen e regjimit të vizave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë