Bota

Zgjatet sërish armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit

Nga Gazeta 'Si'- Një armëpushim i përkohshëm midis Izraelit dhe Hamasit është zgjatur për të shtatën ditë, thanë Forcat Mbrojtëse të Izraelit të enjten në mëngjes, disa minuta përpara se marrëveshja të skadonte.

Armëpushimi në Gazë po mundëson lirimin kryesisht të grave dhe fëmijëve nga Hamasi, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Hamasi.

Izraeli do të zgjasë armëpushimin për çdo ditë që Hamasi vazhdon të lirojë 10 pengje "të gjallë", përsëriti të enjten një zyrtar i lartë izraelit.

Kur u pyet nëse luftimet do të rifillonin brenda 24 orëve të ardhshme, Regev tha, “nëse Hamasi nuk arrin të përmbushë kushtet e zgjatjes, që është të lirojë 10 izraelitë, atëherë sigurisht që luftimet mund të rifillojnë”.

Zgjatja e armëpushimit ndodhi mëngjesin e së enjtes, në kohën kur sulmues hapën zjarr ndaj disa personave që po prisnin për autobus në autostradën kryesore nga Tel Avivi për në Jerusalem, duke vrarë të paktën dy persona dhe plagosur shtatë të tjerë, thanë autoritetet izraelite.

Policia tha se dy sulmues janë vrarë. Ende është e paqartë nëse sulmi u krye nga ndonjë grup militant palestinez dhe nëse kjo ngjarje do të ndikojë në armëpushimin në Gazë.

Presioni ndërkombëtar është rritur për vazhdimin e armëpushimit për aq kohë sa të jetë e mundur, pas pothuajse tetë javë të bombardimeve dhe ofensivës tokësore izraelite në Gazë, që ka lënë të vrarë mijëra palestinezë dhe ka detyruar tre të katërtën e popullsisë prej 2.3 milionë të territorit të zhvendoset dhe ka shkaktuar një krizë humanitare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë