Bota

Sulm me armë në një stacion autobusi në Jeruzalem, 2 viktima dhe tetë të plagosur

Gazeta Si - Dy izraelitë u vranë nga të shtënat në periferi të Jeruzalemit në një sulm me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje.

Viktimat janë një grua 24-vjeçare dhe një burrë 73-vjeçar, disa persona të tjerë janë plagosur, njëri prej të cilëve mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga policia, dy terroristë nga Jeruzalemi Lindor me një M16 dhe një pistoletë hapën zjarr ndaj civilëve që ndodheshin në një stacion autobusi në kryqëzimin “Givat Shaul”, pranë hyrjes së Jeruzalemit.

Dy sulmuesit u vranë nga forcat e sigurisë dhe një civil që ndodhej në vendngjarje.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë, ministri i Jashtëm i Izraelit tha se 2 sulmues të armatosur rëndë u neutralizuan, por akoma nuk ka detaje në lidhje me identitetin e tyre.

“Isha në shtëpi kur dëgjova të shtënat dhe menjëherë shkova në vendin e ngjarjes. Pashë një numër të madh personash në vendin e ngjarjes, disa ishin shtrirë dhe të tjerë ishin në gjendje për të ecur”, tha punonjësi i shërbimeve të urgjencës së Izraelit, Moshe Hemed.

Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben Gvir beson se 2 sulmuesit në Jerusalem janë anëtarë të Hamasit dhe banorë në Jerusalemin Lindor.

“Këta me sa duket janë anëtarë të Hamasit, të cilët flasin këtu me dy zëra, një zë i të ashtuquajturit armëpushim dhe një zë i dytë i terrorit,” tha Gvir për gazetarët.

Ai shtoi se sulmi tregon rëndësinë e shpërndarjes së armëve për civilët në Izrael. Policia ka bllokuar vendin e sulmit dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë