Dezinformimi dhe lajmet e rreme janë kthyer sërish në qëndër të vëmendjes në Ballkan, pas ndërhyrjes së Rusisë për të penguar marrëveshjen e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë. Moska , e cila prej kohësh e ka parë Ballkanin si pjesë të influencës së saj, ka rritur ndjeshëm të gjitha veprimtaritë në mbarë rajonin. Një muaj para referendumit, në Maqedoni u hapën qindra faqe internetit që lobonin për bojkotimin e votimit. Të tjera postime në Facebook u bënin thirrje maqedonasve të digjnin fletëvotimet. Ndërkohë mes Athinës dhe Tiranës shpërtheu skandali i fondeve sekrete për financimin e mediave dhe figurave publike shqiptare.
Një një intervistë të realizuar së fundi me “Europian Western Balkans”, Piers Cazalet, shef i shtypit dhe zëvendës i Shtabit të NATO-s në Bruksel, shprehet se dezinformimi është kthyer në një problem serioz në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij pjesë më e madhe e dezinformimit dhe lajmeve të rreme të përhapura atje e kanë origjinën nga propaganda dhe ndërhyrja e aktorëve të jashtëm.
Intervista e tij vjen vetëm disa javë pasi zyrtarët e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes bënë të ditur se kanë ndërmarrë operacione të fshehta, së bashku me qeveritë e Maqedonisë, Malit të Zi për të minimizuar disinformimin rus në zgjedhjet dhe referendumet e vendeve të tyre.
Çfarë masash po merr NATO-ja për të adresuar problemin e lajmeve të rreme dhe të dezinformimit në Ballkanin Perëndimor?
Së pari, ne i shohim lajmet e rreme si më shumë si pengesë sesa si një kërcënim. Nuk është diçka që minon në thelb NATO-n dhe misionet tona, por është një problem me të cilin duhet të merremi vazhdimisht. Duhet të mbetemi të informuar për të gjitha lajmet e rreme dhe dezinformimin në Ballkan, përmes sistemit tonë të fuqishëm të monitorimit. Më pas ne zgjedhim se për çfarë duhet dhe për çfarë nuk duhet të reagojmë. Ne punojmë me aleatët dhe partnerët tanë në Ballkan për të adresuar sfidat e lajmeve të rreme. Por, në përgjithësi, ato janë një pengesë dhe jo një kërcënim themelor.
A e shihni Ballkanin Perëndimor si një rajon të rëndësishëm kur bëhet fjalë për "luftën e informacionit" ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit?
Së pari, ju flisni për të ashtuquajturën "luftë informacioni" midis Rusisë dhe Perëndimit, por e vërteta është se NATO nuk e sheh situatën me këtë sy. Ne nuk bazohemi tek konceptet e luftës së informacionit, apo sferave të ndikimit. Ajo që është e rëndësishme për ne është që ne mbetemi të hapur dhe të përkushtuar për të treguar të vërtetën dhe për të ekspozuar të vërtetën. Nëse të tjerët zgjedhin të keqpërdorin informacionin në një mënyrë tjetër, atëherë gjendemi përballë një problemi me të cilin do të duhet të merremi.
Ballkanin Perëndimor është një nga rajonet që ka një problem shumë të madh me dezinformimim. Fushatat e dezinformimit janë mjaft aktive në prag të zhvillimeve të veçanta, si për shembull marrëveshja e tanishme midis Maqedonisë dhe Greqisë, e cila po miratohet aktualisht nga Kuvendi në Shkup. Para referendumit, në vend kishte shumë lajme të rreme dezinformime. Edhe përpara pranimit të Malit të Zi në NATO, jemi përballur me një sfidë të vërtetë dezinformimi.
Në këto raste, ne punojmë shumë ngushtë me qeveritë e përfshira. Ne shikojmë dezinformimin dhe vendosim nëse ka të vërtetë diçka të rëndësishme me të cilën duhet të merremi. Edhe një herë, kjo nuk është një luftë. Sigurisht që është një betejë e përditshme, por jo një luftë.
E konsideroni dezinformimin si sfidën kryesore të Ballkanit Perëndimor? A është lajmi i rremë, një lloj fushate dezinformimi nga aktorët e huaj?
Ndonjëherë mund të jetë thjesht një lajm i rremë, i cili ka qenë historikisht një nga problemet kryesore të rajonit. Ndonjëherë mund të jetë propagandë dhe ne duhet të gjejmë mesazhe të forta me të cilat do të mund ta kundërshtojmë. Dhe po, ndonjëherë, propaganda vjen nga vendet e jashtme.
Ajo përbën shpesh kërcënim të drejtpërdrejtë. Ne kemi parë për shembull, në rastin e Maqedonisë dhe kërcënimet e drejtpërdrejta nga ambasadorët dhe zyrtarët rusë, të cilët kanë thënë se nëse Shkupi bashkohet me NATO, do të kthehet automatikisht në një objektiv për Moskën. U takon vendeve të Ballkanit të vendosin se cilat marrëveshje sigurie do të zgjedhin. Nëse Maqedonia dëshiron të bashkohet me NATO-n, është më se e mirëpritur, me pajtimin e të gjithë aleatëve, por nuk i takon vendeve të treta që të vendosin për këtë.
Në rastin e Serbisë, vendi nuk dëshiron të anëtarësohet në NATO. Ajo mund të dëshirojë të bashkëpunojë me NATO-n dhe për momentin kemi arritur një nivel partneriteti që funksionon, dhe jemi shumë të kënaqur me këtë. Por është Serbia dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s qe do vendosin nëse vendi do të bashkohet me aleancën Veri-atlantike apo jo dhe jo vendet e treta.
Kur bie fjala për Serbinë, ekziston një lloj paradoksi, shumica e mediave kryesore mbajnë një qëndrim shumë të fortë kundër NATO-s, ndërkohë që në të njëjtën kohë bashkëpunimi aktual midis Serbisë dhe NATO po forcohet. A mendoni se kjo mund të rrezikojë bashkëpunimin?
Unë nuk e mendoj kështu, ne kemi një nivel të mirë bashkëpunimi që është rritur përgjatë viteve të fundit. Ne po punojmë shumë ngushtë me qeverinë serbe dhe Forcat e Armatosura Serbe. Niveli i bashkëpunimit është shumë praktik dhe pragmatik dhe sjell përfitime për të dyja palët, si NATO-n dhe ashtu dhe Serbinë.
Duhet të gjejmë një mënyrë më të mirë për t'ia komunikuar këto përfitime publikut serb, por niveli i bashkëpunimit është mëse i kënaqshëm.
Çfarë masash mendoni se duhet të ndërmarrin NATO dhe Serbia për të adresuar këtë çështje, pasi informacioni për bashkëpunimin dypalësh nuk është shpesh i disponueshëm për publikun e gjerë?
Këtë muaj kishim një stërvitje shumë të madhe me Serbinë, të organizuar nga NATO dhe Ministria e Brendshme e Serbisë. Ky ishte një ushtrim i përbashkët civilo-ushtarak mbi reagimin ndaj katastrofave. Ushtrimi përfshinte rreth 40 vende dhe 2000 pjesëmarrës. Pati mjaft mbulim nga mediat serbe dhe mesa pashe komentet ishin kryesisht pozitive. Por ndoshta duhet të gjejmë të tjera instrumente që t’u shpjegojmë qytetarëve serbë çfarë është NATO dhe çfarë marrëdhëniesh dëshiron të ketë me Beogradin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.