Futboll

Ze Maria ikën zyrtarisht: Uroj të kem qenë unë problemi i Tiranës!

Me një konferencë për shtyp në ambientet e klubit, Hoze Marselo Ferreira, i njohur si Ze Maria, ka zyrtarizuar largimin nga stoli i Tiranës. Trajneri brazilian është paraqitur para gazetarëve bashkë me presidentin e skuadrës bardheblu, Refik Halili, i cili u shpreh: “Kemi vendosur t’i japim fund bashkëpunimit të firmosur në po këtë vend. Ze Maria ka qenë shumë i impenjuar për të bërë diçka të mirë edhe me akademinë. Është shumë korrekt dhe profesionist, ndaj më vjen keq që nuk shkuam para me projektin tonë. Rezultatet na detyruan ta mbyllim marrëveshjen. Kemi folur gjithmonë, pasi trajneri ka kërkesat dhe ankesat e veta. Nuk na ka mbajtur kontrata, pra ana ekonomike. I vlerësoj shumë përpjekjet e trajnerit për ta mbajtur Tiranën sa më lart", - tha ai. Palët kanë arritur një akord për shumën që do të përfitojë trajneri brazilian dhe stafi i tij për prishjen e kontratës, por shifra nuk bëhet e ditur.

Më pas fjalën e ka marrë trajneri Ze Maria, për të përmbledhur periudhën prej një viti e gjysmë në krye të Tiranës. Ai e drejtoi ekipin më të titulluar në Shqipëri në Kategorinë e Parë dhe 8 ndeshje në Superioren e këtij sezoni, ku rezultatet e dobëta sollën edhe prishjen e marrëveshjes me konsensus. 

Ze Maria, trajneri brazilian i larguar nga Tirana

“Mund të më bëni të gjitha pyetjet para se të largohem. Ishte e drejtë të flisnim para largimit tim. Dua të falënderoj klubin për këtë përvojë. Kam njohur persona, të cilët i shërbejnë këtij klubi dhe më vjen mirë që isha pjesë e Tiranës. Kur “martesa” nuk shkon mirë, provojmë ta mbajmë, por ka momente kur “divorci” është i domosdoshëm. Rezultatet kanë sjellë “divorcin” dhe mendoj se është e drejtë të largohet trajneri që skuadra të shkojë në vendin që i takon. Kam një falënderim të veçantë për tifozët e Tiranës, edhe pse nuk kam pasur kënaqësinë t’i kem shumë pranë. Ata kanë qenë të mërzitur me skuadrën, por e kam parë pasionin e tyre për Tiranën. Shpresoj të shihem me ta në të ardhmen, shpresoj të kem lënë një kujtim të mirë në Shqipëri.

Ze Maria dhe lojtarët e huaj, duke festuar titullin kampion të Kategorisë së Parë

Nuk është në karakterin tim të drejtoj gishtin, jam munduar që problemet t’i zgjidh me grupin. Kur nuk ka rezultate, faji i ngelet trajnerit, ndodh kudo. Shpresoj të kem qenë unë problemi dhe uroj që Tirana të rritet. Problemet që kishte brenda grupi i kam diskutuar me presidentin. Nuk jam person që gjërat e shtëpisë i nxjerr jashtë. Nuk është nevoja që trajneri dhe ish-trajneri të hedhin baltë mbi skuadrën. Nuk e bëj”, - theksoi mes të tjerash në konferencën për shtyp Ze Maria. Në 8 javë kampionat me të në krye, Tirana grumbulloi 8 pikë, me 2 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje, duke mbetur larg kreut.

Drejtimin e Tiranës e merr tashmë një pjesëtar i familjes bardheblu, Ardjan Mema, i cili ka detyrën e vështirë ta çojë këtë skuadër në vendet e para për të siguruar një vend në Kupat e Europës. Koha do të tregojë, nëse problemi i Tiranës ka qenë trajneri Ze Maria, apo ka edhe gjëra të tjera që nuk shkojnë në klubin bardheblu.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë