Ne rrjet

Zbuloi sekretet e Facebook, ish-menaxherja akuzon: Si përfiton kompania në dëm të përdoruesve

"Unë besoj se ne mund të bëjmë më mirë". Emri i saj është Frances Haugen, ajo është 37 vjeçe dhe ishte menaxhere e produkteve të Facebook në vitin 2019.

Ajo i zbulon botës me dhjetëra mijëra faqe kërkimesh dhe dokumente të brendshme të kompanisë së Mark Zuckerberg, duke denoncuar, si gjiganti i teknologjisë nuk veproi në kohën e duhur për të kufizuar përhapjen e përmbajtjes së urrejtjes, dhunës dhe dezinformimit dhe sesi, në të vërtetë, menaxherët e saj janë përpjekur të fshehin provat në këtë drejtim. Një stuhi që ka të ngjarë të jetë më e fortë se ajo e shkaktuar nga zbulimet në “Cambridge Analytica”.

Në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan CBS, “60 Minutes”, ish-drejtuesja Haugen - e cila gjithashtu ka punuar për gjigantët e tjerë të “Silicon Valley”, si Google dhe Pinterest, tha: "Unë kam parë vazhdimisht konflikte interesi midis asaj që ishte e mirë për publikun dhe asaj që ishte e mirë për Facebook, dhe Facebook çdo herë zgjidhte atë që ishte më e mira për të" dhe për fitimet e saj.

E diplomuar në Universitetin e Harvardit, e punësuar nga Facebook në vitin 2019 si një inxhiniere informatike, përgjegjëse për të dhënat, ajo zbuloi se kishte "një plan sigurie" dhe kontrolli për mesazhet e urrejtjes dhe dezinformacionet që u shfaqën në rrjetin social, por që "pas zgjedhjeve  presidenciale në vitin 2020, diçka ka ndryshuar”.

Ish-menaxherja Haugen, gjatë intervistës në televizionin amerikan CBS, "60 Minutes"

Algoritmet do të ndryshonin dhe sistemi do të bëhej "më pak i sigurt". Që nga ai moment - përsëri sipas versionit të Haugen - platforma sociale gjoja zhbllokoi censurimin e mesazheve të urrejtjes dhe përmbajtjeve që dezinformuan për rezultatin elektoral, duke favorizuar përfundimisht përhapjen e mesazheve mbi mashtrimet e supozuara.

Dhe arsyeja është thjesht ekonomike. “Facebook fiton më shumë kur konsumon më shumë përmbajtje. Njerëzit kënaqen, duke bashkëvepruar me gjëra që shkaktojnë një reagim emocional, - shpjegoi ajo. - Dhe sa më shumë zemërim të ekspozohet, aq më shumë ndërveprojnë dhe aq më shumë konsumojnë", - vijoi ish-drejtuesja e Fb.

Vajza e dy profesorëve të universitetit, Haugen lindi në Ioëa. Në faqen e saj të internetit, ajo tregon se si u rrit duke marrë pjesë në mbledhje me prindërit e saj, një përvojë që i ngjalli "një ndjenjë të fortë krenarie për demokracinë dhe përgjegjësinë për pjesëmarrjen qytetare".

Sipas profilit të saj në LinkedIn, Haugen u diplomua në vitin 2006 me një diplomë bachelor në inxhinieri elektrike. Puna e saj e parë pas kolegjit, është në Google, si menaxhere produkti e asociuar, ku punon në divizionet e Google Books dhe Google AdËords.

Më vonë punoi si menaxhere produkti në Google, nga 2008 deri në 2009, duke hartuar aplikacionin e parë celular të Google për leximin e librave dhe duke zbuluar dhe zhvilluar një algoritëm të kërkimit të librave dhe bazën e të dhënave me 300,000 kopertina.

Platforma sociale Facebook

Ajo më pas shërbeu si menaxhere e produktit Yelp nga 2015 në 2016, duke krijuar ekipin e saj të cilësisë së fotografisë. Para se të transferohej në Facebook në vitin 2019, Haugen punoi në Pinterest si menaxhere produkti nga 2016 në 2018 dhe krijoi një aplikacion takimesh.

Sipas Wired, Haugen ishte "pjesë e valës së parë të njerëzve që iu afruan Google në vitin 1996". Për t’i treguar asaj motorin e kërkimit për herë të parë, kur ishte ende një projekt kërkimor në Universitetin Stanford, ishte nëna e saj, profesoreshë në Universitetin e Iowa-s.

Rreth një muaj më parë, Haugen paraqiti të paktën tetë ankesa në Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimin, duke pretenduar se Facebook po fsheh gjetjet e kërkimit mbi mangësitë e saj nga investitorët dhe publiku.

Ajo gjithashtu ndau dokumentet me gazetën “Wall Street Journal”, e cila publikoi një hetim shumëpjesësh që tregonte se Facebook ishte në dijeni të problemeve, përfshirë efektet negative të dezinformatave dhe dëmit të shkaktuar, veçanërisht te vajzat, nga Instagrami.

Haugen do të dëshmojë të martën para Nënkomitetit të Senatit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Sigurinë e Produkteve dhe Sigurinë e të Dhënave. "Unë kam parë shumë rrjete sociale, por Facebook është më i keq se gjithçka që kam parë ndonjëherë më parë," - tha Haugen.

Themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg

Inxhinierja informatike, tha se vendosi të zhvillojë këtë betejë sepse humbi një të afërm për shkak të teorive t komplotit të qarkulluara në mediat sociale. Në Instagram, inxhinierja argumenton se ndikimi në jetën e adoleshentëve është i madh: "Një hulumtim i kryer nga Facebook, - theksoi ajo, - thotë se gratë e reja që ndjekin përmbajtje të lidhura me çrregullimet e të ngrënit, sa më shumë t'i ndjekin këto çështje, aq më shumë ata bëhen në depresion. Dhe kjo çon në përdorimin më shumë të Instagramit”.

Por edhe ndërkombëtarisht, dëmi do të kishte qenë i madh. "Facebook po copëton shoqëritë tona dhe po shkakton dhunë etnike në të gjithë botën, përfshirë Mianmarin në vitin 2018, kur ushtria përdori Facebook-un për të nisur një gjenocid", - shpjegoi ish-menaxherja.

Facebook ka hedhur poshtë me forcë deklaratat e ish-punonjëses, duke e quajtur atë "mashtruese" dhe duke argumentuar se aplikacionet e saj kanë sjellë më shumë të mira sesa dëme.

"Çdo ditë, ekipet tona duhet të balancojnë, duke mbrojtur aftësinë e miliarda njerëzve për të folur, me nevojën për ta mbajtur platformën tonë një vend të sigurt dhe pozitiv", - tha zëdhënësja e Facebook-ut, Lena Pietsch për CNN Business pas transmetimit të "60 Minutes".

Nga ana tjetër, vetë Haugen shpjegoi se ajo beson se Mark Zuckerberg, "kurrë nuk vendosi vullnetarisht të krijojë një platformë kushtuar urrejtjes, por lejoi të bëjë zgjedhje, efektet anësore të së cilës çojnë në fitime më të mëdha".

Trazirat në Kapitol Hill në 6 janar në SHBA, ku sips Haugen, Fb ndihmoi në organizimin e protestave

Haugen tha se ajo ishte punësuar nga Facebook në vitin 2019 dhe mori detyrën për të trajtuar dezinformimin. Por pasi menaxhmenti vendosi të shpërndajë ekipin e saj të integritetit qytetar menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, ndjenjat e saj ndaj kompanisë filluan të ndryshojnë.

Sipas ish-menaxheres, ky vendim bëri të mundur përdorimin e platformës për të ndihmuar në organizimin e kryengritjes së 6 janarit në Kapitol Hill.

"Në thelb ata thanë:" Oh mirë, ne i kaluam zgjedhjet, nuk pati trazira, tani mund të heqim qafe integritetin qytetar "," tha ajo vetë. Kompania u përgjigj se puna e ekipit mbi integritetin qytetar iu shpërnda njësive të tjera pas mbylljes së tij. Nënkryetari i integritetit të Facebook, Guy Rosen, tha në Twitter të Dielën në mbrëmje se grupi është integruar në ekipe të tjera në mënyrë që "puna pioniere e bërë për zgjedhjet të mund të zbatohet më tej".

Përshtati në shqip: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë