Ne rrjet

Zbulohen dosjet sekrete për armët taktike bërthamore ruse, rastet kur Putini mund t’i përdorë

Gazeta “Financial Times” publikon dokumente sekrete, që datojnë 10 vjet më parë, mbi doktrinën bërthamore të Moskës. Zbulohet një "rastësi" më e madhe se ajo që është deklaruar deri tani, me mundësinë e përdorimit në fazat e hershme të një lufte me një fuqi tjetër botërore

Gazeta Si - Dokumentet sekrete të 10 viteve më parë të siguruara nga "Financial Times", duket se tregojnë se Rusia parashikoi mundësinë e përdorimit të armëve taktike bërthamore jo vetëm në përgjigje të një sulmi atomik, por edhe në rast të vështirësive të mëdha për ushtrinë e saj.

Edhe në rast të një pushtimi të territorit të saj apo humbjes së 20 për qind të nëndetëseve të saj me raketa balistike.

Dosjet, të cilat mbi të gjitha ishin tregues për stërvitjen e njësive ushtarake të përfshira, sigurisht që janë të vjetruara, por tregojnë diçka që ekspertët e konsiderojnë shumë shqetësuese.

Përtej linjave të përcaktuara nga doktrina e mbrojtjes, konfirmohet një "lehtësi" e veçantë e liderëve rusë në përdorimin e çdo mjeti që konsiderohet i dobishëm për të arritur qëllimet e tyre.

Presidenti kinez Xi Jinping (majtas), me homologun rus Vladimir Putin në Kremlin në mars 2023

Doktrina "zyrtare"

Rregullat e vendosura nga vetë presidenti Putin përcaktojnë se përdorimi i armëve atomike mund të ndodhë vetëm në dy raste.

I pari është nëse vendi sulmohet me të njëjtën mjet municionesh nga një fuqi tjetër. I dyti është kur vihet në rrezik ekzistenca e shtetit.

Presidenti rus ka përsëritur kohët e fundit gjithashtu se përjashton nevojën për t'iu drejtuar këtyre mjeteve, edhe sepse sot Rusia do të kishte një epërsi të qartë në fushën tradicionale, edhe falë armëve të reja "të mrekullueshme" që janë paralajmëruar dhe pjesërisht të testuara. Nga raketat ultra-sonike të afta për të fluturuar me shpejtësi të jashtëzakonshme, deri te silurët krejtësisht inovativë.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe investigimi i "Financial Times"

Dy mijë koka taktike

Në çdo rast, Rusia ka dy mijë bomba atomike taktike, pra me fuqi të kufizuar, të cilat mund të përdoren në teatro të veçantë të luftës pa shkaktuar një konflikt global me raketa ndërkontinentale.

Për një përdorim të mundshëm të këtij mjeti u fol disa kohë më parë, kur ukrainasit dukej se ishin në gjendje të rikuperonin pjesë të konsiderueshme të zonave të pushtuara nga Moska.

Thuhej se një shpërthim atomik me fuqi të kufizuar, ndoshta në një zonë pothuajse të pabanuar, do të kishte pasur një efekt të rëndësishëm parandalues.

Megjithatë, duket se ekspertët rusë kanë arritur në përfundimin se një ngjarje e atij lloji do të rrezikonte seriozisht një reagim të drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Britania e Madhe.

Dokumentet e marra nga “Financial Times”, citojnë gjithashtu situata të tjera në të cilat mund të imagjinohej përdorimi i bombave taktike.

Shkatërrimi i 30 për qind të nëndetëseve të sulmit bërthamor; atë të të paktën tre kryqëzorëve ose tre aeroporteve ushtarake; ose një sulm i njëkohshëm në qendrat komanduese me bazë tokësore ose në bregdet.

Harta e territorit rus dhe kufiri me Kinën

Kufiri me Kinën

Një aspekt tjetër veçanërisht interesant i dokumenteve sekrete të zbuluara, është vëmendja që liderët e lartë ushtarakë i kushtuan mbrojtjes së kufirit ruso-kinez.

Në një dosje që flet për një stërvitje, parashikohet në mënyrë eksplicite një pushtim kinez dhe përdorimi i armëve bërthamore për të zmbrapsur një valë të dytë të mundshme.

Sot marrëdhëniet me Pekinin janë padyshim të mira dhe shumë besojnë se nuk ka probleme për Moskën në këtë front.

Por ekspertët perëndimorë theksojnë se, megjithatë, Kremlini vazhdon të forcojë aftësitë e tij bërthamore në Lindjen e Largët, pranë kufirit me Kinën. Dhe shumica e sistemeve të instaluara të armëve kanë vetëm aftësinë për të arritur në territorin kinez.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë