Ëndrra e kuqezinjve varet drejtpërdrejt nga ndeshja e sotme me Islandën në “Elbasan Arena”. Një fitore mban gjallë shpresat të paktën për vendin e tretë në grup, ndërsa barazimi dhe humbja mbyllin gjithçka për këto eliminatore, ndoshta për t’i hapur rrugën një revolucioni të thellë në Kombëtare.
Trajneri Edi Reja e ka të qartë situatën, e pranoi në konferencë shtypi se vetëm fitorja i bën punë, ashtu siç pranoi se do të bëjë pesë ndryshime në formacion ndaj islandezëve, por së fundi ai ka pasur një dilemë sa i takon skemës së lojës. Mund të tregohet “kokëfortë” dhe të luajë përsëri me 3-5-2-shin e tij historik, por edhe mund të “përulet” për t’u kthyer në 4-3-3-shin e De Biazit, skema më adapte për kuqezinjtë. Trajneri italian do të vendosë në momentin e fundit, por e sigurt është që në krahasim me ndeshjen e Francës do të ndryshohet gjysma e skuadrës. Porta është sërish e Strakoshës, në të dyja skemat. Balotazhi me Berishën ra poshtë, pasi Berisha la grumbullimin i dëmtuar, duke lënë pas edhe dyshime për një pakënaqësi të tij në lidhje me qëndrimin në stol.
Në skemën e parë, 3-5-2, mbrojtja do të ketë vetëm një ndryshim, ku vendin e Mavrajt e zë Dermaku. Gjimshiti dhe Ismajli janë të sigurt. Në mesfushën me 5 lojtarë, luajnë Hysaj në të djathtë dhe Lenjani në të majtë. Aktivimi i Lenjanit titullar duket i domosdoshëm, po të kemi parasysh faktin se Shqipërisë i duhet patjetër fitorja. Kejdi Bare ka fituar kuota pas paraqitjes së mirë në Francë, ashtu si dhe Gjasula, i aktivizuar si zëvendësues në atë humbje të thellë. Në treshen e qendrës mund të bashkohet me ta edhe Memushaj, i pakonsumuar në ndeshjen e parë. Në sulm, Cikalleshi e nis nga minuta e parë, i mbështetur nga Uzuni.
Në skemën e dytë, 4-3-3, gjithçka kthehet si në kohën e ish-trajnerit kuqezi, Xhani De Biazi. Me këtë skemë lojë Shqipëria shkoi deri në Europianin e Francës. Në portë është Strakosha, në mbrojtje Hysaj në të djathtë, Ismajli dhe Gjimshiti në qendër, ndërsa në të majtë njëri mes Mihajt dhe Binakut, ku i pari është lojtar më mbrojtës, ndërsa i dyti më sulmues. Nëse zgjidhet kjo skemë, më shumë shanse ka Mihaj, i cili duhet të mbulojë edhe boshllëkun që mund të lërë Lenjani në linjën e majtë, pasi lojtari i Sionit do të ketë rolin e sulmuesit të krahut. Bare, Gjimshiti dhe Abrashi do të përbëjnë treshen e mesfushës, ndërkohë që sulmi do të plotësohet me Cikalleshin në qendër dhe Roshin në të djathtë. Futbollisti fierak këtë herë pritet të luajë në rolin e tij natyral, por një alternativë është edhe Manaj.
Këto janë ndryshimet e trajnerit Reja për ndeshjen e sotme, ku kuqezinjtë kanë për detyrë të fshijnë nga memoria paraqitjen e dobët të Francës dhe ta mbajnë Shqipërinë në lojë për ndeshjet në vazhdim. Skuadra jonë ka 6 pikë pas 5 ndeshjesh. Ka mundur vetëm Andorrën dhe Moldavinë, dhe është mundur nga Turqia, Islanda dhe Franca. Sot është rasti për të marrë “hak” ndaj islandezëve të rrezikshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.