Kombetarja

Cilën kombëtare të shqiptarëve do të shikojmë si luan sot futboll ?

Mbrëmja e kësaj të marte është një natë e rëndësishme për futbollin e shqiptarëve. Në “Elbasan Arena” në Elbasan dhe "Sauthemton" në Angli do të luajnë dy ekipe kombëtare të shqiptarëve, nga Shqipëria dhe Kosova. Ndeshjet kanë peshën e vetë të madhe për ekipet dhe fatin e pretendimeve të tyre për këto eliminatore të Kampionatit Europian. Për Kosovën një rezultat pozitiv me Anglinë do të thoshte një këmbë në ‘Euro 2020’. Ndërsa për Shqipërinë një fitore me Islandën do të rindizte shpresat për kualifikim.

Por në prag të këtyre dy ndeshjeve kyçe të mbrëmjes së sotme atmosfera që mbizotëron rreth dy ekipeve është shumë e ndryshme.

Kombëtarja e Kosovës e pamposhtur prej 15 ndeshjesh është në majën e saj më lartë që nga koha kur Fadil Vokrri e themeloi. 8 pikë në katër ndeshje dhe asnjë humbje deri më tani, bëjnë që Kosova të besojë te ëndrra. Pa 2 lojtarët kyç në këtë ndeshje vendimtare, Rashica dhe Zeneli, trajneri Shallandes do të mbështet te Muriqi dhe Celina. I pari është sulmuesi i momentit në Turqi, ndërsa Celina rikthehet në vendin që e bëri futbollist, mbase për të treguar se sa vlen. Por nuk do të jetë aq e thjeshtë, pasi përballë do të jetë Anglia më e mirë e dekadave të fundit, e cila në tre ndeshje në këtë grup eliminator ka shënuar 15 gola dhe ka pësuar vetëm një. Mund të quhet një “mision impossible” ndalja e kësaj Anglie, por kjo gjë nuk e ka frenuar aspak entuziazmin që rrethon Kosovën, e cila do të ketë sonte në ‘St. Mary's Stadium’ disa mijëra “dardanë” që do të brohorasin për ta.

Momenti kur u ngaterrua Himni shqiptar - Gazeta Si, 8 shtator 2019

Në kontrast me këtë pamje që paraqet ambienti në Kombëtaren e shqiptarëve të Kosovës, ajo e Shqipërisë është në ditët më të këqija dhe po lundron pashmangshmërisht në ujëra të rrezikshme. Rezultate të dobëta, lojë poshtë nivelit të pritshëm dhe ajo që djeg më shumë, tifozë të paktë në shkallët e stadiumit. Deri në mesditë u konfirmua zyrtatisht se ishin shitur vetëm 6 mijë biletaose me pak se gjysma e vendeve në stadiumin e Elbasanit. Një ditë më parë presidenti i federatës Armando Duka e ndjente këtë bjerrje entuziazmi kur shkkrunate në formë replike kundër kritikave ndaj kombëtares dhe kërkonte mbështetje. Trajneri Reja në konferencën për shtyp tha se do të bëjë 5 ndryshime nga formacioni i sfidës me Francën. Ndryshimet do të prekin të gjitha repartet dhe “kapiteni plangprishës” Mavraj do të jetë në stol. Kjo është kura që ka zgjedhur italiani veteran për të na rikthyer të rezultatet pozitive. Por se sa rezultat do të ketë, fusha do ta tregojë. Pasi përballë do të jetë Islanda, e cila në ndeshjen e parë na mposhti edhe duke luajtur keq.

Të dyja kombëtaret shqiptare do të zbresin në fushë në 20:45. Pra në të njëjtën kohë dhe vështirë nga televizori t'i ndjekësh të dyja njëherësh. Kombëtaret e shqiptarëve, të dyja do të kërkojnë rezultat pozitiv. Dilema tani është se cilën do të ndjekin shqiptarët. Spektaklin në Sauthemton apo drithërimat në Elbasan Arena? Të paktën të ketë futboll të bukur, por që deri tani atë di ta bëjë më mirë Kosova.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë