Kombetarja

Atmosferë e vakët për Kombëtaren, policë gjithandej në Elbasan

Sonte luan Kombëtarja dhe qyteti i Elbasanit, ku do të zhvillohet ndeshja do duhej të ishte i gjithë në këmbë dhe të gumëzhinte nga tifozë të mbërritur nga i gjithë vendi për të mbështetur ekipin kuqezi.

Por siç rëndom po ndodh në vitet e fundit atmosfera para ndeshjes së Kombëatres e ka humbur shumë shkëlqimin e saj. Nuk ka më tifozë që mbërrijnë 1 ditë para ndeshjes dhe ndezin atmosferën dhe flamuj kuqezi në çdo cep. Në vend të kësaj atmosfere janë postimet e zyrtarëve të FSHF në rrjetet sociale, ku bëhet thirrje për të mbështetur kombëtaren.

Deri mëngjesin e sotëm mësohet të jenë jo më shumë se 6 mijë bileta të shitura edhe pse nga FSHF ka shpresa që numri të rritet gjatë orëve në vijim, për të krijuar një atmosferë sa më të ngrohtë për ekipin në një moment shumë delikat.  

Nga ana tjetër policia ka bërë të ditur planin e masave për mbarëvajtjen e ndeshjes. Duke filluar që prej mëngjesit të sotëm në Elbasan janë dislokuar 215 forca të Policisë së Rendit, Qarkullimit, Shqiponjat, FNSH-ja dhe Policia Kriminale.

Si zakonisht gjatë pasdites në Elbasan do ketë bllokim të aksit në drejtim të stadiumit si dhe do mbyllen lokalet rreth stadiumit. Të gjithë tifozët do të kontrollohen në hyrje të stadiumit nga forcat e Policisë dhe nuk do të lejohet futja e sendeve të forta, shisheve me tapë, çelësave, monedhave apo metaleve (të çfarëdo lloji).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë