Editorial

Zbulimi i tezës së maturës… e çfarë pastaj?!

A doni ta bëjmë si tek kjo foto?

Ishte sot (13 qershor) provimi i tretë i maturantëve, ai i matematikës, teza e të cilit doli 20 minutat e para të zhvillimit, duke rikthyer të njëjtat kritika boshe si çdo herë.

Nxjerrja e tezës do të vazhdojë të ndodhë në Shqipëri edhe në maturat pasardhëse.

Ne duhet të vendosim se kur kjo mund të ndalë. Është një vendim që e tejkalon edhe mësuesin apo nxënësin “sharlatan” dhe “hajdut të meritës”.

Themi ka për të ndodhur sërish dalja e tezës për të paktën dy arsye. Arsyeja e parë lidhet me pamundësinë fizike.

Është e pamundur që vetëm 7800 mësues të kontrollojnë mbi 30 mijë maturantë aq sa ishin këtë sezon. 

Edhe sikur të gjithë mësuesit e Shqipërisë që janë 33 mijë, të kontrollonin të gjithë maturantët.

Siç është e pamundur që mes mësuesve, si në Tiranë apo dhe në një fshat të humbur, të mos gjesh një prej tyre nga ata që kanë harruar apo dhe më keq nuk e njohin etikën dhe misionin e profesionit të tyre.

Të pretendosh të mos dalë teza, është njësoj si të pretendosh që të mos kesh asnjë krim, sepse ka policë në çdo qoshe të humbur të këtij vendi.

Problemi i daljes së tezës, ashtu siç edhe rendi e siguria publike janë çështje më shumë morale dhe të standardit shoqëror, sesa çështje teknike dhe vetëm kontrolli apo numrash dhe forcash.

Shoqërisë i mungon ende një shtyllë e fortë morali, skrupujsh profesionalë, që vijnë e ndërtohen nga një shtet me skrupuj e moral.

Për sa kohë nuk kemi të ndërtuar këtë të fundit, bëhemi fare qesharakë kur bërtasim për një palo skandal që na paska shpërthyer, se paska dalë teza kur nxënësit hyjnë në provim.

Nuk i gjejmë dot në Shqipëri dhe rrallë në ndonjë vend të botës, 100 përqind mësues dhe 100 përqind nxënës që të mos tentojnë t’i përvidhen, aq sa është e drejtë dhe e moralshme për të përfituar pa konkurrencë dhe padrejtësisht në këmbim.

Siç nuk mund të gjejmë aq shumë policë dhe mësues për çdo nxënës - vetëm nëse do të ishim një shtet militar.

Vendet e zhvilluara kanë një tjetër mekanizëm vetërregullues që e bën çdo nxënës, prind apo mësues, të mos shkelë rregullat.

Ai është raporti mes dijes si investim dhe përftimit në treg kur kërkon një punë.

Sepse nxënësi që mëson nuk ka nevojë të kopjojë, sepse ai sëbashku me familjen llogarisin si të kthejnë shpejt investimin e bërë financiarisht dhe në kohë për arsimin.

Potencialisht nga nxjerrja e një teze, mund të lindin mundësi për kopje dhe nxënësi përfitues mund të krijojë një avantazh ndaj të tjerëve.

Ai mund të kapë edhe një vend në universitet, por një nxënës historikisht i notës 5/6 apo 7, nuk bëhet dot i 8 (tetës), 9-ës, e jo e jo i dhjetës edhe sikur të paguajë e sikur të kopjojë gjithë jetën, sepse dija e tij nuk është në nivelin e notës.

Ai nuk do të mund të garantojë të ardhura personale nga puna në ato nivele sa t’i vlejnë për t’i kthyer investimin e bërë për një shkollim “fake”, sepse edhe produkti i tij në tregun e punës do të jetë “fake” dhe i refuzuar nga çdo punëdhënës.

Ndaj histeria e daljes së tezave të maturës shtetërore nga një budalla, nuk mund të çmendë 100 të mençur. Gjetkë duhet kërkuar zgjidhja...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë