Arsim

15 nota 10-ta në provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Rezultate më të mira se 2 vitet e fundit

Ministria e Arsimit ka publikuar notat për provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë për Maturën 2023. Këtë vit, 440 nxënës kanë rezultuar mbetës ndërsa 15 kanë mundur të marrin notën 10.

30 mijë maturantë iu nënshtruan provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë më 7 qershor, ndërsa ditën e sotme, më 19 qershor, maturantët do të kryejnë provimin e fundit, atë të lëndës me zgjedhje.

Nota mesatare e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë është 7.34.

Ky bilanc rezulton në rritje krahasuar me vitet e mëparshme. Vitin e kaluar, vetëm 4 maturantë mundën të merrnin notën 10 ndërsa ishin 383 mbetës. Ndërsa në maturën 2021, me notën 10 janë vlerësuar 2 maturantë ndërsa me notën 4, 1911 maturantë.

Këtë vit janë testuar në të gjithë Shqipërinë 30 mijë maturantë ndërsa vitin e kaluar 33 mijë nxënës.

As këtë vit nuk mungoi qarkullimi i tezës online, jo vetëm në provimin e Gjuhës Shqipe por në të gjitha provimet.

Megjithatë, ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se kjo gjë nuk e cenon procesin. Ajo shtoi se është e njëjta dorë që i publikon tezat dhe po punohet për gjetjen e tij/tyre.

Pak ditë më parë janë publikuar edhe rezultatet e provimit të anglishtes. 1043 maturantë kanë marrë notën 4.00, ndërsa 384 maturantë kanë arritur të marrin notën maksimale 10.00.

Në vijim, maturantët priten që të njihen me notat e provimit të matematikës dhe të lëndës me zgjedhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë