Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria ka ndërhyrë sërish në Kodin Penal, duke propozuar ndryshime të tjera, pas rishikimit tërësor një vit më parë.
Sipas një drafti në konsultim, ashpërsohen masat për mashtrimet financiare, saktëson rregullat për trafikimin dhe ndryshon trajtimin ligjor për bashkëpunëtorët e drejtësisë.
Në dokument theksohet se çdo veprim apo mosveprim i qëllimshëm që lidhet me paraqitjen e deklaratave apo dokumenteve të rreme dhe që dëmton interesat financiare të BE-së në procedurat prokuruese apo ato joprokuruese, do të konsiderohet vepër penale dhe do të dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Ndryshimet ligjore parashikojnë rritje të dënimit me një të tretën kur pasojat janë të rënda. Ligji e konsideron dëmin të rëndë kur vlera e tij ose e përfitimit arrin në dhjetë milionë lekë.
Ndërkohë, për skemat mashtruese ndërkufitare me TVSH-në që prekin territorin e dy ose më shumë shteteve anëtare të BE-së, pasojat quhen të rënda kur dëmi i përgjithshëm kap vlerën e paktën një miliard lekëve.
Po ashtu, përcaktohet se dispozitat kundër pastrimit të parave do të zbatohen plotësisht edhe për pasuritë që rrjedhin nga veprat penale që prekin këto fonde europiane.
Një risi kryesore në këtë projektligj është kriminalizimi dhe përfshirja e neneve specifike për korrupsionin aktiv dhe pasiv të zyrtarëve të ndryshëm të Bashkimit Europian. Korrupsioni aktiv ndaj nëpunësve të BE-së do të dënohet nga gjashtë muaj deri në tre vjet burg, ndërsa për funksionarët e lartë, siç janë anëtarët e Komisionit Europian apo të Parlamentit Europian, dënimi i bazës shkon nga një deri në pesë vjet burg.
Nga ana tjetër, korrupsioni pasiv i zyrtarëve të lartë të BE-së, që konsiston në kërkimin apo marrjen e ryshfetit dhe përfitimeve të parregullta, do të dënohet rreptësisht me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet. Ligji penalizon gjithashtu korrupsionin ndaj sistemit gjyqësor evropian, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së dhe Gjykatës Europiane të Auditorëve, ku korrupsioni pasiv i tyre do të dënohet me burg nga tre deri në dhjetë vjet.
Ndëshkime të ngjashme parashikohen edhe për keqpërdorimin e pastër të fondeve apo aseteve të BE-së nga personat që ushtrojnë funksione publike.
Projektligji sjell rregulla të reja dhe për personat që vendosin të bashkëpunojnë me drejtësinë, duke bërë një ndarje të qartë sipas llojit të strukturës kriminale ku ata bëjnë pjesë. Pjesëtarët e një bande të armatosur apo grupi të strukturuar kriminal mund të përfitojnë përjashtim të plotë nga dënimi ose ulje të tij nëse japin një ndihmë që gjykohet vendimtare për njohjen e aktivitetit, të bashkëpunëtorëve të tjerë dhe të pasurive të zotëruara prej tyre. Ndryshe nga këta, pjesëtarët e një organizate terroriste do të mund të përfitojnë vetëm ulje nga dënimi dhe në asnjë rast përjashtim të plotë, edhe nëse ndihma e tyre për veprimtaritë hetimore është vendimtare.
Lidhur me kohën e shtrirjes së efekteve, projektligji përcakton se pjesa më e madhe e amendamenteve dhe ndryshimeve do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit të dokumentit në “Fletoren Zyrtare”, ndërsa një pjesë tjetër, do të hyjnë në fuqi zyrtarisht vetëm në datën e anëtarësimit të plotë të Republikës së Shqipërisë në BE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje